Edhe pse kushtet atmosferike janë të favorshme për mbjelljet vjeshtore, bujqit në rajonin e Pollogut po përballen me pasiguri ekonomike. Çmimet e ulëta të grurit, shpenzimet e larta të prodhimit dhe vështirësitë në shitjen e prodhimit të sivjetshëm po i dekurajojnë fermerët. Agronomët paralajmërojnë se pa masa konkrete mbështetëse, vendi rrezikon të bëhet gjithnjë e më i varur nga importi i grurit.
Vala e fundit e reshjeve ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e mungesës së mëparshme të ujit dhe ka siguruar lagështi optimale dhe produktive në shtresën sipërfaqësore të tokës.
Kjo ka krijuar kushte të favorshme agroekologjike për përfundimin e mbjelljeve vjeshtore dhe për fillimin e zhvillimit vegjetativ të kulturave drithërore.
Agronomi, Alirami Saliu, për Tv Koha, thotë se për mbjelljet vjeshtore ekziston një kalendar i përcaktuar, i cili për kushtet klimatike të rajonit të Pollogut parasheh periudhën nga mesi deri në fund të muajit tetor.
Mbjelljet vjeshtore po hyjnë në fazën përfundimtare. Kushtet atmosferike dhe lagështia në tokë janë të favorshme, por mbetet e paqartë se sa sipërfaqe do të mbillen këtë vit me grurë. Çmimet e ulëta të blerjes, shpenzimet e rritura të prodhimit dhe mungesa e leverdisë ekonomike po i detyrojnë bujqit të heqin dorë nga kultivimi i një pjese të sipërfaqeve bujqësore.
Interesimi i ulët për blerjen e grurit dhe çmimi i ulët i prodhimit të sivjetshëm kanë bërë që një pjesë e fermerëve të mbeten me sasi të pashitura në depot e tyre. Ndërkohë, çmimet e naftës, plehrave artificiale dhe materialeve të tjera të nevojshme për prodhim vazhdojnë të rriten.
Bujqit paralajmërojnë se, nëse shteti dhe Ministria e Bujqësisë nuk ndërmarrin masa konkrete, Maqedonia gjithnjë e më shumë do të bëhet e varur nga importi i grurit.
Kohë më parë nga Ministria e Bujqësisë kanë bërë shpërndarjen e kartelave të naftës së gjelbër për bujqit.
Siç njoftojnë nga Ministria e Bujqësisë, për Tetovën janë ndarë gjithsej 1.577 kartela, në vlerë prej 11.953.292 denarësh, mbështetje e drejtpërdrejtë për uljen e kostove të prodhimit bujqësor.
/Tv Koha/
