Maqedonia po përgatit ndryshime të rëndësishme në mënyrën e pagesës së autostradave. Në të ardhmen, drejtuesit e automjeteve mund të paguajnë sipas kilometrave realisht të përshkuar, në vend të sistemit aktual me tarifa fikse në pikat e pagesës.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ka bërë të ditur se po përgatiten ndryshime ligjore për modelin e ri, të cilat pritet të prezantohen gjatë muajit dhjetor.
Sipas paralajmërimeve, synimi është krijimi i një sistemi modern elektronik që do të mundësojë pagesë më efikase dhe më të drejtë, duke reduktuar ndalesat dhe kolonat në pikat e pagesës.
Gjithashtu, po shqyrtohet edhe zbatimi i teknologjisë moderne për pagesë elektronike, e cila do t’u lejonte automjeteve të kalojnë pa u ndalur në rampa, ndërsa lëvizja e tyre do të regjistrohej automatikisht. Një zgjidhje e tillë pritet të zvogëlojë ndjeshëm pritjet dhe kolonat, sidomos gjatë sezonit veror dhe festave.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për heqjen e plotë të rampave ekzistuese.
Në hartimin e modelit të ri do të përfshihen edhe ekspertë nga Komuniteti Evropian i Transportit, të cilët do të ndihmojnë në harmonizimin e sistemit me standardet evropiane.
Për momentin, sistemi aktual i pagesës mbetet në fuqi. Ende nuk janë përcaktuar tarifat sipas kilometrave dhe as data se kur mund të nisë zbatimi i modelit të ri, pasi për këtë nevojiten ndryshime ligjore, përgatitje teknike dhe ndërtimi i infrastrukturës përkatëse.
