Site icon Tetova Expres

Italia propozon kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit, ndalohen llogaritë për fëmijët nën 13 vjeç

Qeveria italiane e kryeministres Giorgia Meloni po përgatit masa të reja për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët, me qëllim mbrojtjen e tyre nga varësia digjitale dhe ndikimet negative të platformave online.
Sipas ndryshimeve të propozuara në një dekret qeveritar, fëmijëve nën moshën 13 vjeç do t’u ndalohet krijimi i llogarive në rrjetet sociale. Për grupmoshën 13 deri në 15 vjeç, përdorimi do të lejohet vetëm nëse llogaritë janë të lidhura me ato të prindërve, ndërsa llogaritë e pavarura do të lejohen nga mosha 16 vjeç.
Propozimi mbështetet nga koalicioni qeverisës, por ende nuk është paraqitur zyrtarisht dhe mund të pësojë ndryshime gjatë procedurës parlamentare.
Masat parashikojnë gjithashtu detyrimin e kompanive të rrjeteve sociale për të verifikuar moshën e përdoruesve. Autoriteti italian i komunikimeve, AGCOM, pritet të përcaktojë rregullat e verifikimit brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e dekretit, ndërsa aplikacionet edukative do të përjashtohen nga kufizimet.
Sipas autoriteteve italiane, nisma synon të zvogëlojë rreziqet që lidhen me përdorimin e tepruar të rrjeteve sociale dhe ndikimin e tyre në shëndetin mendor të të miturve.
Italia i bashkohet kështu vendeve si Australia, Brazili dhe Greqia, të cilat kanë ndërmarrë ose po shqyrtojnë masa për kufizimin e qasjes së fëmijëve në platformat sociale.
Exit mobile version