Site icon Tetova Expres

Pagesa elektronike e autostradave, sistemi i ri pritet të përfshijë edhe aksin Gostivar–Tetovë

Maqedonia e Veriut po përgatit ndryshimin e sistemit të pagesës së taksave rrugore në autostrada. Në vend të ndalesave në pikat fizike të pagesës, planifikohet vendosja e një sistemi elektronik, ku tarifa do të llogaritet sipas kilometrave të përshkuar.

Lajmi është veçanërisht i rëndësishëm për qytetarët e Gostivarit, pasi sistemi i ri parashihet të zbatohet edhe në autostradën Gostivar–Tetovë, si dhe në aksin Bukojçan–Gostivar.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se për hartimin e ligjit të ri do të përfshihen edhe ekspertë të Komunitetit Evropian të Transportit. Ai shpreson që projektligji të prezantohet gjatë muajit dhjetor.

Sipas Nikolloskit, pagesa sipas kilometrave do të jetë më e drejtë për qytetarët, do të ulë kostot për disa udhëtime dhe do të mundësojë qarkullim më të shpejtë, pa ndalesa në pikat e pagesës.

“Idetë tona janë që pagesa të bëhet sipas kilometrave të përshkuar, gjë që do të jetë shumë më e drejtë se sistemi aktual”, deklaroi Nikolloski.

Advertisement

Sistemi fillimisht pritet të aplikohet në autostradën Kërçovë–Ohër, ndërsa më pas të shtrihet edhe në akset e tjera që janë në ndërtim, përfshirë Prilep–Manastir, Bukojçan–Gostivar, Gostivar–Tetovë dhe Kërçovë–Bukojçan.

Për momentin, bëhet fjalë për një plan që kërkon përgatitje ligjore dhe teknike. Ende nuk janë bërë të ditura tarifat konkrete dhe mënyra e funksionimit të sistemit të ri. Gostivari Sot

Exit mobile version