Site icon Tetova Expres

Çmimi i arit bie në nivelin më të ulët që nga shtatori i vitit 2025

Çmimi i arit vazhdon të shënojë rënie dhe të mërkurën arriti nivelin më të ulët që nga shtatori i vitit 2025, pasi investitorët reaguan ndaj pritjeve për një rritje të mundshme të normave të interesit në SHBA, përcjell TV21. Në tregjet botërore, ari u zhvlerësua për rreth 3.2 për qind, duke zbritur në 3.726 dollarë për ons, ndërsa gjatë ditës preku edhe nivelin prej 3.720 dollarësh.

Shkaku kryesor i rënies janë pritjet se Banka Qendrore Amerikane (FED) mund të vazhdojë rritjen e normave të interesit për të frenuar inflacionin. Kjo e bën arin më pak tërheqës për investitorët, pasi ai nuk sjell fitim nga interesat. Presion shtesë mbi çmimin ka ushtruar edhe forcimi i dollarit amerikan, i cili ka arritur nivelin më të lartë në 19 muajt e fundit. Kjo e bën arin më të shtrenjtë për blerësit që përdorin valuta të tjera.

Rënia ka përfshirë edhe metalet e tjera të çmuara. Argjendi është zhvlerësuar për rreth 5 për qind, në 45.03 dollarë për ons, ndërsa rënie kanë shënuar edhe platini dhe paladiumi. Analistët vlerësojnë se lëvizja e mëtejshme e çmimeve do të varet kryesisht nga vendimet e FED-it dhe sinjalet për politikën monetare në periudhën e ardhshme.

Exit mobile version