Pas pauzës dy javore shkaku i obligimeve të reprezentacionit për dy ndeshjet e fundit të UEFA Liga e Kombeve, këtë fundjavë vazhdon e kampionati në Ligën e parë të futbollit me ndeshjet e javës së 14-të të sezonit vjeshtor.
Java e 14-të hapet të premten me ndeshjen që do të zhvillohet në Çair mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Bashkimit të Kumanovës me fillim në ora 13:00.
Kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë për të dyja ekipet pasi vendasit pretendojnë të mbeten në pjesën e epërme të tabelës, ndërsa kumanovarët shpresojnë që t`i ikin zonës së rrezikut.
Trajneri Berat Imeri për TV Koha tha se me angazhim maksimal tri pikët do t`i takojnë Shkëndijës së Haraçinës.
‘’Na pret një ndeshje shumë e vështirë kundër Bashkimit. Ne luajmë në terrenin tonë jemi të përgatitur maksimalisht. Mendoj se jemi të kompletuar për këtë ndeshje, kemi disa lëndime të vogla por shpresoj që me angazhim maksimal edhe me dëshirë të madhe siç e kishin në dy ndeshjet e fundit jemi optimist se do arrijmë ti marrim tre pikë ‘’ deklaroi trajneriBerat Imeri
Të shtunën me fillim në ora 12:00, në program është ndeshja mes dy skuadrave që aktualisht mbajnë dy vendete fundit në renditjen e tabelës Skopjes dhe Arsimit.
Ndeshja në Autokomandë për çegranasit mund të jetë shpresa e fundit që me fitore të shpresojë mbijetesën .
Futbollisti Subi Mustafi për TV koha është shprehur optimist se nga Shkupi do kthehen me rezultat pozitiv.
‘’ Duke parë disfatën e fundit me ekipin nuk kemi pasur një kontinuitet shumë të mirë. Mendoj dhe shpresoj se kemi marrë motiv, kemi punuar shumë mirë gjatë këtij pushimi që kemi pasur dhe shpresoj që të kthehemi nga Shkupi me një fitore sepse na nevojitet shumë për gjatë kampionatit. Duke parë ekipin, duke parë cilësinë që kemi në ekip shpresojmë dhe mendojmë se do arrijmë fitore këtë javë ‘’ deklaroi futbollisti Subi Mustafa
Të shtunën zhvillohet edhe ndeshja Vardari – Tikveshi me fillim në ora 13:00.