Në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve „World Police Summit Awards 2026“, të mbajtur në kuadër të Samitit Botëror të Policisë në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, iu dorëzua çmimi prestigjioz ndërkombëtar „Excellence in Road Safety“.
Maqedonia e fitoi këtë çmim për projektin „Qyteti i Sigurt“, si mirënjohje për reformat që Ministria e Punëve të Brendshme po i zbaton në fushën e sigurisë në komunikacion.
Projekti paraqet një qasje sistematike për avancimin e sigurisë në trafik, duke ndërthurur teknologjitë moderne, ndryshimet ligjore, zbulimin automatik të kundërvajtjeve dhe digjitalizimin e procedurave.
Në kuadër të Samitit Botëror të Policisë, ministri Toshkovski pati mundësinë t’u drejtohet përfaqësuesve të policive dhe pjesëmarrësve nga vende të ndryshme, gjatë fjalimeve hyrëse të samitit.
Si shembull konkret të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar, Toshkovski përmendi hetimin e përbashkët të policisë së Maqedonisë dhe FBI-së amerikane kundër platformës ilegale online OLVX, e cila lidhet me tregtinë e të dhënave personale të vjedhura dhe mjeteve për krim kibernetik.
Ai theksoi se aktivitetet e ndërmarra në Maqedoni kanë kontribuar në sigurinë digjitale të qytetarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dorëzimi i këtij çmimi përbën një vlerësim ndërkombëtar për angazhimin e policisë së Maqedonisë në avancimin e sigurisë në komunikacion, por edhe një obligim shtesë për vazhdimin e reformave, modernizimin dhe zbatimin e zgjidhjeve bashkëkohore në shërbim të qytetarëve.
