Site icon Tetova Expres

SËRISH DENONCIME PËR “BOMBA” NË SHKOLLAT E TETOVËS!

Katër shkolla në Tetovë sot kanë marrë njoftime për vendosjen e bombave, por kontrollet policore kanë vërtetuar se bëhet fjalë për alarme të rreme.

Pas tri shkollave fillore, të cilat i morën kërcënimet gjatë orëve të mëngjesit, pasditen e sotme është dërguar edhe një mesazh për një mjet shpërthyes të pretenduar në Gjimnazin e Tetovës.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë për Tv Koha e kanë konfirmuar informacionin.

Prej atje bëjnë të ditur se kërcënimet e para kanë arritur në adresën elektronike të policisë për ankesa dhe kanë të bëjnë me Shkollën Fillore „Liria“, dhe shkollat private „Marif“ dhe „Jahja Kemal“.

Më vonë gjatë ditës ka arritur edhe një kërcënim tjetër, kësaj radhe për Gjimnazin.

Advertisement

Sipas informacioneve të policisë, mesazhet elektronike janë dërguar nga adresa të ndryshme, të cilat menjëherë më pas janë fshirë.

Zyrtarët policorë kanë kryer kontrolle në terren dhe kanë konstatuar se kërcënimet janë të rreme.

Nga SPB Tetovë bëjnë të ditur se po ndërmarrin masa për zbulimin e personit që ka dërguar mesazhet kërcënuese.

Ndryshe, më 17 nëntor 2026, në periudhën nga ora 05:45 deri në 07:25, zyrtarë policorë nga Sektori për Luftimin e Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit , në bashkëpunim me zyrtarë të Sektorit për Krim Kompjuterik dhe Njësisë Policore të Zherovjanit pranë SPB-së Tetovë, kishin kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet ndihmëse të një 18-vjeçari në fshatin Radiovcë të Tetovës.

Bastisja ishte realizuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale sipas nenit 366 të Kodit Penal, përkatësisht për dhënie të rrejshme të alarmit për vendosjen e bombës në shkollën e mesme komunale – gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë./Tv Koha/

Advertisement
Exit mobile version