Site icon Tetova Expres

“THUAJ JO!”: MPB PARALAJMËRON PRINDËRIT DHE FËMIJTË!

Keqpërdorimi seksual i fëmijëve në hapësirën digjitale është një formë serioze e kriminalitetit, me pasoja afatgjata për viktimat.

Nga MPB-ja paralajmërojnë se shpërndarja e fotografive dhe video-materialeve, komunikimi me persona të panjohur dhe keqpërdorimi i besimit të krijuar mund t’i shfaqë fëmijët dhe të rinjtë para rreziqeve serioze.

Prandaj, Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Europol-in dhe shërbimet policore të rajonit, përmes fushatës ndërkombëtare “Thuaj JO!”, tërheq vëmendjen ndaj rreziqeve të komunikimit të papërshtatshëm dhe shpërndarjes së përmbajtjeve personale në internet.

Qëllimi i fushatës është ngritja e vetëdijes së fëmijëve, të rinjve, prindërve dhe opinionit të gjerë për mënyrat e identifikimit dhe parandalimit të keqpërdorimit seksual në hapësirën digjitale.

“Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët. Informimi, kujdesi dhe raportimi me kohë janë hapa të rëndësishëm në parandalimin e keqpërdorimit. Thuaj JO keqpërdorimit! Thuaj JO shpërndarjes së përmbajtjeve intime! Mbro veten dhe të tjerët!” – thuhet në mesazhin e MPB-së.

Advertisement

Ndryshe, çdo i dhjeti fëmijë në Maqedoni, i moshës 12 deri në 17 vjeç, që ka përdorur internetin, është ekspozuar ndaj eksploatimit dhe abuzimit seksual.

Bëhet fjalë për rreth 12.000 fëmijë, shifër kjo që konfirmohet edhe nga hulumtimi i fundit i UNICEF-it.

Shqetësues është edhe fakti se në 78 për qind të rasteve, abuzuesi është person të cilin fëmija e ka njohur më parë. Gati 88 për qind e fëmijëve kanë treguar për përvojën e tyre te dikush, por më pak se 1 për qind e kanë raportuar rastin përmes mekanizmave zyrtarë.

Ndërkohë, së fundmi është hapur një shërbim i ri për raportimin e rasteve në rrjetet sociale. Deri më tani janë pranuar 25 denoncime.

Advertisement
Exit mobile version