Prononcimet publike të Ali Ahmetit gjatë një paneli diskutimi të organizuar nga Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”, pranë BDI-së, me temën “Marrëveshja Kombëtare për Përparim – Maqedonia e Veriut, shteti, shoqëria dhe e ardhmja evropiane” kanë shkaktuar reagim te partia në pushtet – VLEN.
Sipas tyre, liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, i pengon këputja e lidhjeve me Serbinë.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti vazhdon ta vajtojë Open Ballkanin. Në një përpjekje të përsëritur për ta rehabilituar agresorin, ai thotë se paqja rajonale bëhet në bashkëpunim me Sërbinë. Me të njejtën Serbi që nuk e njeh Kosovën, nuk ka kërkuar falje për gjenocidin e viteve ‘99 dhe vazhdon të sponzorizojë sulme terroriste si ai i Banjskës, për të cilin Ahmeti nuk foli kurrë. Me të njejtën Serbi që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, që ne e shohim si parakusht për normalizimin e marrëdhënieve mes dy popujve.
Qeveria VLEN, sic thuhet në reagim, ka përcaktim të qartë: Lidhje me Shqipërinë dhe Kosovën përmes Korridorit 8, autostradën Shkup – Bllacë, rrugën Tetovë – Prizren dhe One Stop Shop në vendkalimet kufitare.
Ndërsa nostalgjikët e Open Ballkanit , vazhdon reagimi, duhet ta kuptojnë se çështja kombëtare kurrë më nuk do të bëhet peng e interesave të ngushta grupore e familjare, e as monedhë në transakcionet e dyshimta të krushkut që na e solli Alta Bankën.
