Të shtunën dhe të dielën në program janë ndeshjet e javës së 12-të të sezonit vjeshtor në Ligën e Dytë të futbollit vendor. Derbi i javës luhet në Manastir mes Pelisterit dhe Teteksit. Të dielën Kamjani takohet me Euromilkun. Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 13:00.
Kryendeshja e kësaj jave zhvillohet në Manastir, ku do të përballen dy ekipet të cilat vite me radhë kanë lënë gjurmë në futbollin vendor, Pelisteri kundër Teteksit.
Aktualisht ekipi nga Manastiri me 7 fitore, katër barazime dhe asnjë ndeshje të humbur mban pozitën e dytë me 25 pikë, ndërsa Teteksi me 4 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje, pozicionohet e gjashta në tabelë me 16 pikë.
Trajner i Teteksit, Marjan Bilbiloski, për TV Koha tha se favorit është Pelistëri, por se ekipi nga Tetova nuk udhëton me flamur të bardhë në Manastir.
Trajneri i Teteksit Marjan Bilbiloski thotë se çdo rezultat kundër Pelisterit, pos disfatës, do të ishte pozitiv.
‘’Nuk jam parashikues i mirë, por çdo ndeshje sidomos në teren të vështirë siç është në Manastir nga skuadra si Pelisteri e dimë se ky është derbi mes dy skuadrave diçka vlejnë në futbollin e Maqedonisë dhe në Ballkan. Është për keqardhje që luhet në Ligën e dytë por i pamposhtur të kthehesh nga Manastiri gjithsesi se është rezultat i mirë’’ tha trajner Bilbiloski
Ndeshje interesante këtë xhiro pritet edhe në përballjen mes Ohrit dhe Bellasicës por edhe në përballjet tjera që luhen të shtunën si Rabotniçki – Novaci, AP Brera – Kozhufi, Makedonija Gj.P – Detonit Plaçkovica dhe Shkupi – Osogova.
Të dielën në program është ndeshja Kamjani – Euromilk.
Për skuadrën vendase është një rast i mirë që të arkëtojë tre pikët e radhës për të mbajt hapin me pesë ekipet që janë në pjesën e epërme të tabelës.
Të gjitha ndeshjet e javës së 12-të fillojnë në ora 13:00.
