Nëntori në Tetovë vjen me një program të pasur festiv! Muaji i krenarisë, historisë dhe bashkimit tonë kombëtar do të shënohet me aktivitete të shumta kulturore dhe artistike.
Kështu ka shkruar në Facebook, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, teksa ka bërë publike orarin e aktiviteteve që deri më 28 nëntor do të shënohen në Komunën e Tetovës dhe jo vetëm.
Ndërkohë, në qytetin e Tetovës tashmë kanë nisur përgatitjet për zbukurimin e qytetit në frymën e festave të Nëntorit. Punonjës të Ndërmarrjeve Publike të Tetovës shihen duke bërë gati shtyllat dhe vendet ku do të vendosen flamujt kombëtar, krej kjo në frymën e këtyre festave që pritet Tetovës t`i japin edhe një bukuri kombëtare.
Ndryshe, sipas orarit të publikuar nga autoritetet e Komunës së Tetovës, nga 20 deri më 28 Nëntor janë paraparë aktivitete të ndryshme kulturore e artistike.
Më 21 Nëntor mbahet Festivali Mbarëkombëtar i Poezisë “Festat e Nëntorit” – Edicioni i 9-të “Oeneum”.
Më 22 Nëntor shënohet Dita e Alfabetit Shqip.
Më 23 Nëntor parashihet Vizita Studimore e Grupit Rinor “Rinia e Zëshme” në Prishtinë, më pas Promovimi i Librit “Bllaca 99” nga Jahja Lluka, kurse kjo ditë përmbyllet me Ekspozitën Artistike Gjithëpërfshirëse “Bota e Nemos kur dashuria krijon valë” nga Shkolla e Tekstilit dhe me Programin Artistik të SHKA “Xheladin Zeqiri”.
Më 24 Nëntor mbahet kuizi rinor “Sa e njeh historinë tënde?”.
Më 25 Nëntor Koncerti Festiv me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve.
Më 26 Nëntor shfaqje teatrore nga Teatri i Qytetit.
Më 27 Nëntor Suita Orkestrale “Skënderbeu”.
Aktivitetet rrumbullaksohen më 28 Nëntor me Programin Festiv nga Pallati i Kulturës “Pallati Feston”.
Këto janë aktivitetet që do të shënohen në Komunën e Tetovës, por priten edhe shumë surpriza tjera, sidomos më 28 Nëntor, kur Tetova pritet të shndërrohet në epiqendër të kremtimit të Ditës së Flamurit./Tv Koha/
