Para 40 ditës doli na shtëpia por nuk u kthye më. Ky është fati i Shemo Shabanit, të riut 27 vjeçar nga Gostivari i cili për më shumë se 1 muaj rezulton i zhdukur. Familja kërkon angazhim më të madh të institucioneve përkatëse, gjegjësisht të policisë dhe prokurorisë për gjetjen e djalit të tyre. Babi i të zhdukurit, Sadat Shabani thotë se për shkak të stresit po i rëndohet edhe gjendja shëndetësore duke u bërë apel institucioneve që sa më shpjetë të jetë e mundur t’i marrin të gjitha masat për gjetjen e të djalit të tij.
SADAT SHABANI – Prind i të humburit
“Djalin tim nuk e kam qe 45 ditë. Nuk janë ndërmarr masa dhe asnjë përgjigje nuk kam për djalin tim. Si ka qenë atë natë, ka ora 4 e mengjesit ka dalur jashtë dhe nuk e ka parë më askush. Nuk është askund! Atë natë ka qenë me një shok të vetin. Shoku i vet tregon se kur e ka kthyer kokën nuk e ka parë më. Unë as nuk ha as nuk pi e as nuk flej. Çkado që ha e vjell! Dua të merren masa nga policia urgjentisht”.
Familjarët thonë se nuk do ta lënë këtë punë për gjysmë dhe se do tu adresohen të gjitha instancave instuticionale për gjetjen e djalit të tyre.
Gjysha e të humburit
“U bëjmë thirrje kompetentëve, MPB-së dhe policisë, që të gjindet djali. Atë fëmij e kam rritur unë pa nënë. Shpirtin e tij e dij vetëm unë. Nuk po ndërmerret asnjë masë. Unë do të vazhdoj ta kërkoj. Nuk ndalem. Jo te Vardari jo andej, por nuk ka asnjë shenjë se ku mund të ketë shkuar”.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës thonë se po punohet intenzivisht në gjetjen e personit me iniciale SH.SH 27 vjeçar nga Gostivari duke bërë apel për ndihmë edhe nga qytetarët që çdo informacion ta ndajnë me policinë.
FATMIR REXHEPI – SPB – Tetovë
Shëmo Shabani nga Gostivari më 13 tetor ishte larguar nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më. Pavarësisht masave të ndërmarra nga policia dhe kërkimeve në terren, deri më tani nuk ka asnjë rezultat për gjetjen e tij. Më 21 tetor, ekipe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në koordinim me policinë dhe shërbimet lokale, zhvilluan kërkime në shtratin e lumit Vardar në rajonin e Gostivarit. Në aksion morën pjesë edhe pjesëtarë të ekipit për reagim të shpejtë dhe shpëtim në ujëra, të cilët kontrolluan pikat kritike nga zona urbane e qytetit deri në pjesët e poshtme të rrjedhës së lumit.
Një ditë më vonë u bë e ditur se Shabani nuk ishte gjetur, ndonëse ekipet e shpëtimit kishin kontrolluar në detaje rreth dhjetë pika kritike përgjatë lumit. Kontrolle të njëjta ka pasur edhe më 22 nëntor, pra ditën e diel, megjithatë nuk është gjetur asgjë. Në kuadër të hetimeve, policia ka marrë në bisedë persona që kishin pasur kontakte me të pak para zhdukjes. Janë shqyrtuar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë dhe informacionet për lëvizjet e tij, ndërsa ishte kërkuar edhe ulja e nivelit të ujit të Vardarit për të lehtësuar kërkimet.
