Site icon Tetova Expres

BËRVENICË, EKSPOZITË E SHPENDËVE DEKORATIVË DHE RACAVE AUTOKTONE

Dashamirës të shpendëve dhe kafshëve të vogla nga vise të ndryshme të Maqedonisë së Veriut janë mbledhur në Bërvenicë, në kuadër të ekspozitës së shpendëve, shpendëve të imëta dhe kafshëve të vogla. Në këtë ngjarje, e cila ka edhe karakter garues, janë prezantuar raca të ndryshme të pulave dhe pëllumbave, përfshirë edhe racat autoktone maqedonase. Ekspozita ka tërhequr kultivues të shumtë, por edhe vizitorë të interesuar për këtë pasion. Një prej pjesëmarrësve të rregullt është edhe Beadin Muaremi, i cili merret me kultivimin e shpendëve dekorativë. Ai këtë vit është prezantuar me racën gjermane Federfuss, e njohur si një racë e pulave të vogla dekorative. Sipas tij, kjo racë ka mjaft kultivues edhe në vendin tonë dhe interesimi për të vazhdon të jetë i madh, ndonëse nuk kultivohet për përfitime nga vezët apo mishi, por kryesisht për pamjen dhe bukurinë e saj.

BEADIN MUAREMI – Kultivues shpendësh
“Unë marr pjesë çdo vit, është panairi shtetëror i shpezëve në RMV, unë jam pjesëmarrës me racen federface për ndryshe është ferderfuz është një racë gjermane, këto bëjnë pjesë pulat e vogla, janë shpezë dekorative. Këtu te ne ka shumë që e ruajnë këtë racë, është shumë interesimi i madh. Dmth si racë është racë dekorative por nuk është fitimprurëse për vezë ose për mish.”

Përveç ekspozimit, panairi shërben edhe si hapësirë për shkëmbimin, blerjen dhe shitjen e shpendëve, ku vizitorët mund të gjejnë raca të ndryshme, në varësi të interesimit dhe preferencave të tyre. Për disa nga pjesëmarrësit, kultivimi i shpendëve është një pasion i trashëguar dhe një hobi që e ruajnë ndër vite, me interes të veçantë për pulat e vogla dekorative. Ndërkaq, pëllumbat mbeten një tjetër atraksion i ekspozitës. Disa prej kultivuesve tregojnë se ky pasion i shoqëron prej dekadash.


“Kemi dal t’i vizitojmë.  Unë blej dhe shes. Me shumë racat më interesante. Si italiankat, titinkat, federfiska, me ngjyra pa ngjyra, varet nga merraku”.


“Unë si hobi e kam, pulat më interesojnë me tëpër, këta të voglat, kikirezkat”. 

Advertisement


“Unë jam merakli për pëllumba. Ruaj pëllumba 60 vjet. 60 vjet merrem me këtë sport, më intereson. Të gjitha gjallesat, pula apo pëllumba më intersojnë që fëmijë. I kam merak”.

Përzgjedhja dhe vlerësimi i racave është një tjetër pjesë e rëndësishme e kësaj ekspozite. Gjyqtari sportiv, Tane Serbinovski, thotë se këtë vit janë prezantuar mjaft raca dhe ekzemplarë të pëllumbave dhe pulave, përfshirë edhe disa nga racat autoktone.

Tane Serbinovski – Gjyqtar sportiv
“Momentalisht kanë ekspozuar mjaftë raca dhe shembuj të pëllumbave dhe pulave si dhe racat auotktone maqedonase të pëllumbave, si dyneki, pëllumbi tetovar dhe kemi pëllumba të frizirt”.

Organizatorët vlerësojnë se interesimi i vizitorëve dhe pjesëmarrja nga rajone të ndryshme të vendit dëshmojnë për rëndësinë e kësaj ngjarjeje. Kryetari i Asociacionit për Kujdesin e Shpendëve Dekorativë, Vanço Ilievski, thekson se bashkëpunimi me shoqatën tetovare ka mundësuar organizimin e edicionit të 19-të të ekspozitës, duke synuar ngritjen e nivelit të garës dhe promovimin e kultivimit të shpendëve dekorativë.

VANÇO ILIEVSKI – Kryetar i Asociacionit për Kujdesin e Shpendëve Dekorativë
“Në bashkëpunim me shoqatën e Tetovës për kultivimin e shpendëve të imëta ‘Gjeli Diamant’ organizojmë ekspozitën e 19-të që ka edhe karakter garues. Jemi shumë të kënaqur nga vizitorët, nga vendosja e ekspozitës dhe falënderojmë pjesëmarrësit që vijnë nga të gjitha viset e vendit. Padyshim rajoni i Tetovës është më i përfaqësuar, pasi këtu kemi njerëz që me vullnet mbikëqyrin procedurën e kultivimit të shpendëve dekorativë. Kemi vendosur frymën garuese sepse duam që këtë ngjarje ta ngremë në nivel më të lartë, për shkak se kjo ngjarje bashkon njerëzit dhe shton dashurinë ndaj shpezëve”.

Advertisement

Ekspozita në Bërvenicë edhe këtë vit ka bashkuar kultivuesit, koleksionistët dhe dashamirësit e shpendëve, duke krijuar mundësi për prezantimin e racave të ndryshme, shkëmbimin e përvojave dhe ruajtjen e traditës së kultivimit të tyre. /TV KOHA/

Exit mobile version