Danimarka po përgatitet të vendosë rregulla të reja për përdorimin e pajisjeve elektronike në shkolla, duke parashikuar ndalimin e telefonave celularë dhe bllokimin e disa faqeve të internetit gjatë procesit mësimor. Masat e reja pritet të hyjnë në fuqi nga viti shkollor 2027 dhe do të përfshijnë shkollat fillore dhe të mesme. Kufizimet nuk do të prekin vetëm telefonat inteligjentë, por edhe pajisjet e tjera personale që kanë akses në internet.
Ministri i Arsimit, Magnus Henike, deklaroi se fëmijët duhet të kenë mundësinë të ndjekin mësimet pa u shpërqendruar vazhdimisht nga mediat sociale, blerjet online apo videolojërat. Plani parashikon instalimin e filtrave në rrjetet e internetit të shkollave, për të kufizuar aksesin në platformat sociale, lojërat online dhe dyqanet elektronike gjatë orëve të mësimit.
Megjithatë, jo të gjitha vendimet do të merren nga qeveria qendrore. Komunat dhe vetë shkollat do të kenë mundësi të përcaktojnë se cilat faqe do të bllokohen, në varësi të nevojave të tyre arsimore. Me këtë nismë, Danimarka i bashkohet një grupi vendesh që kanë ndërmarrë masa për të kufizuar përdorimin e telefonave në shkolla, mes shqetësimeve për ndikimin e tyre në përqendrimin dhe sjelljen e nxënësve.
Edhe Holanda, Koreja e Jugut dhe Italia kanë ndërmarrë hapa në këtë drejtim, ndërsa propozime të ngjashme janë diskutuar së fundmi edhe në Poloni dhe Republikën Çeke.
