Gjithçka nisi në pikën kufitare Qafë Thanë, ku Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria promovuan sistemin e përbashkët të kontrollit kufitar “One Stop Shop”.
Me këtë sistem synohet që të kontrollen lëvizjet e udhëtarëve dhe mallrave në një pikë të vetme, me çka pritet të shkurtohet koha e pritjes dhe të lehtësohet qarkullimi mes dy vendeve, ndërkaq u bë e ditur se vitin e kaluar në pikën kufitare në Qafthanë janë regjistruar 2.3 milion kalime udhëtarësh.
Në Ohër, Kryeministri Edi Rama takoi liderin e BDI-së, Ali Ahmetin,
“Me Edin, si gjithmonë, biseduam vëllazërisht, hapur dhe me përkushtim për çështjet me interes të përbashkët për kombin tonë shqiptar, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për perspektivën evropiane, partneritetin në kuadër të NATO-s dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave me të cilat përballemi” – shkroi Ali Ahmeti në Facebook pas takimit.
Manifestimet e Ditës së Alfabetit më pas u zhvendosën në Manastir, aty ku mbërriti edhe Kryeministri Edi Rama për t`u takuar me drejtuesit e VLEN-it.
“Në takim me kryeministrin Edi Rama, bashkë me Izet Mexhitin, diskutuam për çështjet aktuale politike, marrëdhëniet dypalëshe dhe sfidat para nesh. Vazhdojmë ta bëjmë punën tonë me përkushtim, për lidhje më të forta me Shqipërinë dhe Kosovën, në interes të popullit tone” – shkroi në Facebook Bilall Kasami.
Në Europe House në Manastir, Kryeministri Rama ishte pjesë e takimit me të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, si dhe me rektorë e përfaqësues të universiteteve, për arsimin, identitetin tonë kulturor, bashkëpunimin mes të rinjve dhe të ardhmen e përbashkët europiane.
Në Manastir më vonë mbërriti edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. U prit nga Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami.
Bashkë me Izet Mexhitin, e njoftuam kryeministrin për zhvillimet aktuale politike, përfaqësimin politik të shqiptarëve në vend dhe bashkëpunimin rajonal. Biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, me theks të veçantë te projektet infrastukturore që lidhin dy shtetet tona. Nëntori na gjen bashkë, të fokusuar në punë dhe projekte të përbashkëta, në të mirën e qytetarëve tanë – shkroi Bilall Kasami.
Dita u përmbyll me koncertin “Mora udhë kah Manastiri”.
Në të performuan tri ansamble shtetërore nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, në praninë e Kryetarit të Kuvendit dhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Nga VLEN sot përmes komunikatës thonë se 22 Nëntori i këtij viti do të mbahet mend gjatë. Në Ditën e Alfabetit, shqiptarët nga Shkupi, Prishtina dhe Tirana u bashkuan në Manastir.
“Në Manastir, mbi një shekull më parë, shqiptarët u bashkuan rreth një alfabeti të përbashkët. Sot, VLEN vazhdon punën që ky bashkim të ndihet çdo ditë: me më pak pritje në kufi, me më shumë bashkëpunim dhe me më shumë mundësi për qytetarët në të dyja anët e kufirit” – thuhet në komunikatën e VLEN-it.
