Në Maqedoninë e Veriut, rastet penale ende evidentohen në regjistra të shkruar me dorë. Këtë realitet e pranoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke paralajmëruar digjitalizimin e evidencave. Ai foli edhe për reagimin e policisë ndaj rasteve të dhunës, duke pranuar se ka pasur gabime në ndërhyrje.
Në Maqedoninë e Veriut, rastet penale ende evidentohen dhe regjistrohen në fletore. Kështu deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Në një konferencë për media, Toshkovski tha se këtë gjendje e kishte konstatuar që në kohën kur për herë të parë mori detyrën e ministrit, në kuadër të Qeverisë teknike.
Ai e cilësoi këtë praktikë si të dhimbshme, por njëkohësisht edhe qesharake, duke theksuar se shtetet e zhvilluara evropiane e kanë përfunduar procesin e digjitalizimit të evidencave penale para rreth 30 vitesh.
“Maqedonia ende funksionon me një sistem ku rastet penale evidentohen në regjistra të shkruar me dorë. Sado qesharake të duket kjo për dikë, për fat të keq, ky është realiteti. Për digjitalizimin po punojmë çdo ditë dhe është shumë e rëndësishme që këtë proces ta realizojmë si Ministri e Punëve të Brendshme. Kjo është detyra jonë. Ka qenë detyra jonë edhe gjatë 35 viteve të fundit, por nuk e kemi përfunduar. Suedia, për shembull, e ka realizuar këtë proces para rreth 30 vitesh. Ne po e bëjmë sot. A do të ishte më mirë ta kishim bërë vitin e kaluar? Po, sigurisht.”
Gjatë konferencës, ministri foli edhe për dhunën dhe rritjen e ndërgjegjësimit të viktimave për denoncimin e rasteve.
Toshkovski pranoi se gjatë reagimeve dhe ndërhyrjeve policore ka pasur edhe gabime por tha se këtë vit viktimat janë më të inkurajuara për të raportuar rastet e dhunës, ndërsa institucionet janë më të fokusuara në trajtimin e tyre.
“MPB-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat për çdo rast dhune, kërcënimi apo shkaktimi të rrezikut të përgjithshëm. A kemi reaguar gjithmonë me profesionalizëm maksimal? Absolutisht jo. A kemi pasur gabime? Po. A ka reaguar Departamenti për Kontroll të Brendshëm? Po. A do të ketë vepra penale? Po. Çështja është se si do të jepet përgjigjja e duhur ndaj tyre. Më vjen mirë që këtë vit viktimat janë më të inkurajuara për të denoncuar rastet, ndërsa institucionet janë më të fokusuara.”
Ndryshe, sot Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me sindikatat dhe Shoqatën e Gazetarëve, themeloi Komitetin Nacional për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Sigurisë së Gazetarëve.
