Site icon Tetova Expres

Tregjet aziatike në rënie për shkak të shqetësimeve mbi investimet në IA-në

Tregjet financiare në Azinë Lindore, shënuan rënie sot, pas humbjeve të mëdha në bursën amerikane javën e kaluar.

Arsyeja kryesore janë shqetësimet e investitorëve nëse paratë e shumta që kompanitë po shpenzojnë për inteligjencën artificiale (IA), do të sjellin fitimet e pritshme në të ardhmen.

Indeksi kryesor i bursës së Koresë së Jugut, KOSPI, ra me 5,3% deri në mesditë.

Për shkak të luhatjeve të forta të çmimeve të aksioneve, tregtimi u ndërpre përkohësisht.

Koreja e Jugut është një nga vendet kryesore në prodhimin e çipave që përdoren për inteligjencën artificiale.

Advertisement

Kompanitë “Samsung Electronics” dhe “SK Hynix” janë ndër prodhuesit më të mëdhenj të këtyre pajisjeve në botë.

Për këtë arsye, shqetësimet për të ardhmen e këtij sektori, ndikojnë drejtpërdrejt edhe në bursën e vendit.

Rënie u regjistruan edhe në tregjet e tjera aziatike.

Në Hong Kong, indeksi “Hang Seng” ra me rreth 1,5%, ndërsa në Kinë indeksi “CSI 300” humbi 0,9%.

Bursa japoneze qëndroi e mbyllur për shkak të një feste zyrtare.

Advertisement

Ndërkohë, javën e kaluar, aksionet e kompanive të mëdha teknologjike amerikane, pësuan rënien më të fortë prej disa vitesh.

Investitorët kanë shfaqur dyshime nëse shpenzimet shumë të larta për prodhimin e çipave dhe ndërtimin e qendrave të mëdha të të dhënave, të nevojshme për funksionimin e inteligjencës artificiale, do të sjellin fitime të mjaftueshme për kompanitë në të ardhmen.

Exit mobile version