Goce Sedloski (52) nuk është më përzgjedhës i përfaqësueses së Maqedonisë në futboll. Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) njoftoi zyrtarisht se ka arritur marrëveshje me ish-kapitenin e përfaqësueses për ndërprerjen e kontratës me marrëveshje të dyanshme.
Goce Sedloski nuk është më përzgjedhës i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut!
Nga Federata bëjnë të ditur se ndarja është në interes të të dyja palëve, ndërsa në njoftimin e tyre pranojnë në mënyrë indirekte edhe rezultatet e dobëta të arritura gjatë periudhës së fundit.
“Ndonjëherë në futboll, pavarësisht përvojës, përkushtimit dhe qëllimeve të mira, gjërat thjesht nuk shkojnë ashtu siç dëshirojmë të gjithë”, thuhet në njoftimin e FFM-së.
Sedloski largohet nga posti i përzgjedhësit pas 11 muajsh. Në dhjetë ndeshje të zhvilluara, kombëtarja ka pësuar tetë humbje dhe ka regjistruar dy barazime, me një golaverazh katastrofal prej 1:23.
Veçanërisht zhgënjyese ishte paraqitja e Maqedonisë në Ligën e Kombeve, ku humbi të gjashtë ndeshjet në grupin me Zvicrën, Skocinë dhe Slloveninë.
Pas serisë së rezultateve të dobëta, FFM-ja tashmë duhet të zgjedhë përzgjedhësin e ri, i cili do ta marrë drejtimin e përfaqësueses para ndeshjeve të rëndësishme që e presin në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Në atë periudhë, Maqedonia do të përballet me Qipron në ndeshjet e balotazhit për mbijetesë në Ligën B të Ligës së Kombeve.
