Turizëm gjatë gjithë vitit, më shumë vizitorë dhe qëndrime më të gjata në vend. Këto janë disa nga synimet kryesore të Strategjisë së Turizmit 2027–2032, drafti i së cilës iu nënshtrua debatit publik përfundimtar të organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.Ministri Sedat Sulejmani theksoi se fokusi nuk duhet të jetë vetëm te rritja e numrit të turistëve, por edhe te zhvillimi i qëndrueshëm i ofertës turistike dhe përfshirja e të gjitha rajoneve të vendit. Strategjia pritet të përcaktojë drejtimet e zhvillimit të turizmit në pesë vitet e ardhshme.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka organizuar debatin publik përfundimtar para miratimit të Strategjisë së Turizmit 2027–2032. Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, deklaroi se ky debat përbën një mundësi të rëndësishme për përmirësimin e mëtejshëm të draft-strategjisë.
Sipas Sulejmanit, turizmi në vend po shënon zhvillim, ndërsa rritja e numrit të vizitorëve është inkurajuese. Megjithatë, ai theksoi se sfida kryesore mbetet zgjatja e qëndrimit të turistëve, promovimi i ofertës turistike gjatë gjithë vitit dhe përfshirja e të gjitha rajoneve të vendit.
SEDAT SULEJMANI – Ministër i Kulturës dhe Turizmit
“Para nesh mbetet një detyrë e rëndësishme: vizitorët të qëndrojnë më gjatë, ta vizitojnë vendin gjatë gjithë vitit dhe t’i vizitojnë të gjitha rajonet. Prandaj, kjo strategji nuk përqendrohet vetëm te numri i turistëve, por edhe te vlera që turizmi krijon për vizitorët, bizneset dhe komunitetet lokale. Vendi ynë ka trashëgimi të pasur natyrore dhe kulturore, gastronomi të larmishme dhe njerëz mikpritës. Këto janë përparësi të mëdha, por edhe pasuri që duhet t’i ruajmë me përgjegjësi”, deklaroi Sulejmani.
Në debat mori pjesë edhe ambasadori i Zvicrës, Christoph Somer, i cili theksoi se zhvillimi ekonomik dhe qëndrueshmëria nuk janë objektiva kundërshtuese, por elemente që ndërlidhen ngushtë dhe plotësojnë njëri-tjetrin, veçanërisht në sektorin e turizmit.
CHRISTOPH SOMER – Ambasador i Zvicrës
“Përfundimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit do të shënojë fillimin e fazës së zbatimit. Në këtë fazë, do të jetë thelbësore ruajtja e dinamikës, përkushtimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve të përfshira. Zvicra mbetet e përkushtuar dhe e gatshme për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë partnerët edhe në periudhën në vijim”, u shpreh Somer.
Për rëndësinë e strategjisë foli edhe profesori Sasho Kurunovski. Në prononcimin e tij për media, ai theksoi se dokumenti do të shërbejë si bazë për përcaktimin e linjave të reja ajrore, në përputhje me analizat e tregut dhe nevojat turistike të vendit.
SASHO KORUNOVSKI – Profesor
“Për çdo ditë dëgjojmë për linja të reja ajrore. Kjo strategji parasheh që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, në bazë të analizës së tregut, të propozojë se nga cilat destinacione duhet të ketë linja të reja ajrore. Në bazë të kësaj strategjie, Ministria do të bëjë përzgjedhjen e linjave të reja dhe jo në bazë të kritereve të tjera. Kështu do të krijohet ndërlidhje ndërmjet institucioneve”, deklaroi Kurunovski.
Nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit bëjnë të ditur se strategjia është hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e institucioneve shtetërore, komunave, ekspertëve, punonjësve të sektorit të turizmit dhe partnerëve ndërkombëtarë./Tv Koha – Shkup/
