Elbasani do të jetë mikpritës i Kupës së Pavarësisë në volejboll, një aktivitet mbarëkombëtar që do të zhvillohet në datat 27, 28 dhe 29 nëntor, në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”, me pjesëmarrjen e ekipeve nga Shqipëria, Kosova dhe Tetova e Maqedonisë së Veriut.
Për të gjashtin vit radhazi, Kupa Pavarësia rikthehet si një nga aktivitetet më të rëndësishme të volejbollit, në kuadër të bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe Federatës së Volejbollit të Kosovës.
Në datat 27, 28 dhe 29 nëntor 2026, Pallati i Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan do të bëhet arenë e një feste të vërtetë sportive, ku do të përballen ekipet më të mira të momentit në kategoritë Meshkuj dhe Femra, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Kupa Pavarësia mbetet një traditë që bashkon përmes sportit dhe forcon edhe më shumë bashkëpunimin mes federatave dhe volejbollit shqiptar në rajon.
Trajner Durim Luma për turneun në fjalë tha se është nderë dhe kënaqësi të përfaqësosh vendin në këtë eveniment tradicional
‘’ Tradicionalisht klubi i volejbollit Shkëndija ftohet në këtë eveniment shumë të rëndësishëm që ka një domethënie të madhe për gjithë shqiptarët kudo që janë. Klubi volejbollit Shkëndija merre pjesë në këtë eveniment së bashku me ekipin e Studentit të Tiranës, kampion i Shqipërisë, klubi i volejbollit Ferizaj kampion i Kosovës si dhe ekipi i Elbasanit që është nikoqire e këtij eventi . Ne kemi nderin dhe kënaqësinë që çdo herë thirremi në këtë turne , Ndoshta jo së paku nga rezultatet që bëjmë në ligën tonë, mirëpo emri dhe brendi i Shkëndijës e bënë atë që çdo herë klubi volejbollit Shkëndija të merë pjesë’’. deklaroi Durim Luma
Sipas organizatorit Turneu hapet me 27 nëntor me dy ndeshje e para në kategorinë e vajzave ku do të përballen Pogradeci – Ferizaji dhe KV Drita – Tirana.
Ndërsa më 28 nëntor në kategorinë e meshkujve takohen Skënderbeu – Ferizaji dhe Shkëndija – Studenti.
Ndeshjet finale në të dyja kategoritë zhvillohen më 29 nëntor kur edhe do të shpallen ekipet fituese.
