Site icon Tetova Expres

KREDITË E SHPEJTA: SI DO T`U KTHEHEN MJETET QYTETARËVE TË DËMTUAR!

Më shumë se 26 mijë qytetarë në Maqedoninë e Veriut duhet të marrin mbrapsht mbi 140 milionë denarë, të cilat shoqëritë financiare ua kanë arkëtuar në kundërshtim me dispozitat ligjore, kryesisht në formë të shpenzimeve për vërejtje dhe njoftime për shkak të vonesave në shlyerjen e kredive të shpejta. Kontrollet inspektuese kanë përfshirë dokumentacionin për periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026, ndërsa kompanitë ndaj të cilave janë marrë vendime kanë afat prej 30, 60 ose 90 ditësh për t’i kthyer paratë.

Për qytetarët, informacioni më i rëndësishëm është se, sipas deklaratave të drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski, personat e përfshirë në vendimet inspektuese nuk kanë nevojë të paraqesin kërkesë të veçantë.

Shoqëritë financiare të përfshira në vendimet inspektuese duhet vetë t’i identifikojnë klientët të cilëve u janë arkëtuar në mënyrë të paligjshme mjete financiare, t’i kontaktojnë dhe të realizojnë kthimin e parave. Janë përcaktuar afate prej 30, 60 ose 90 ditësh, varësisht nga numri i konsumatorëve të prekur.

Kontrollet nuk kanë të bëjnë vetëm me kreditë aktive. Meqë inspektorët kanë kontrolluar dokumentacionin për periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026, arsye për të kontrolluar dokumentacionin e tyre kanë edhe qytetarët që ndërkohë i kanë shlyer plotësisht kreditë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ata të cilëve u janë faturuar shuma të veçanta për njoftime përmes SMS-ve, njoftime telefonike, vërejtje me shkrim, shpenzime administrative të lidhura me vonesat apo tarifa të tjera të ngjashme.

Qytetarët që kanë shfrytëzuar kredi të shpejta në periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026 dhe dyshojnë se u janë faturuar shpenzime për vërejtje ose njoftime, fillimisht mund të kontrollojnë kontratën, anekset, fletëpagesat, ekstraktet bankare dhe komunikimin me shoqërinë financiare.

Advertisement

Nëse dokumentacioni nuk është i plotë, rekomandohet që nga shoqëria financiare të kërkohet me shkrim një përllogaritje e detajuar e të gjitha pagesave të arkëtuara.

Nëse kompania nuk përgjigjet ose refuzon të kthejë mjetet për të cilat qytetari konsideron se janë arkëtuar në mënyrë të paligjshme, mund të paraqitet ankesë në Inspektoratin Shtetëror të Tregut.

Kujdes i shtuar nevojitet edhe në rastet e borxheve për të cilat tashmë zhvillohet procedurë pranë noterit ose përmbaruesit. Kundërshtimi ndaj shoqërisë financiare ose ankesa në Inspektoratin e Tregut nuk nënkupton automatikisht se procedura e arkëtimit të borxhit ndërpritet./Tv Koha/ 

Exit mobile version