Një ndeshje futbolli mes Beshiktashit turk dhe ekipit izraelit Hapoel Beer-Sheva është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes tifozëve dhe policisë në qytetin e Batumit, në Gjeorgji. Shkak për incidentet u bë edhe shfaqja e mesazheve në mbështetje të Palestinës nga tifozët turq.
Ndeshja në kuadër të Ligës Europa midis Beshiktashit dhe Hapoel Ber Sheva që duhej të luhej në Stamboll, për shkaqe sigurie u zhvillua në Batumi të Gjeorgjisë dhe përfundoi me fitoren 2-1 të Beshiktashit.
Situata doli jashtë kontrollit në tribunat e stadiumit, ku pati përplasje mes tifozëve dhe forcave të policisë. Si pasojë, ndeshja u ndërpre përkohësisht në minutën e 26-të, ndërsa arbitri urdhëroi të dyja skuadrat të largoheshin drejt dhomave të zhveshjes.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë, tre efektivë policie mbetën të plagosur dhe 16 persona u ndaluan. Autoritetet gjeorgjiane pretendojnë se disa tifozë hodhën edhe ulëset e stadiumit në drejtim të policisë.
Nga ana tjetër, agjencia turke e lajmeve DHA raportoi se policia përdori sprej djegës ndaj tifozëve, disa prej të cilëve patën nevojë për ndihmë mjekësore.
Klubi turk reagoi ashpër ndaj veprimeve të policisë gjeorgjiane. Beshiktashi bëri të ditur se ka paraqitur ankesë pranë UEFA-s.
Edhe Federata Turke e Futbollit dënoi ndërhyrjen e policisë, duke e cilësuar sjelljen ndaj mbështetësve të Beshiktashit si të papranueshme.
Ngjarja mori edhe përmasa diplomatike, pasi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, kontaktoi homologen e tij gjeorgjiane. Ndërkohë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Beshiktashit, Serdal Adali, duke e informuar se po i ndiqte nga afër zhvillimet.
Në mbështetje të Beshiktashit dolën edhe klubet rivale Gallatasaraj, Fenerbahçe, si dhe Trabzonspor, të cilët dënuan incidentet. Mesazhe solidariteti u publikuan gjithashtu nga përfaqësues të politikës dhe sportit në Turqi.
