Site icon Tetova Expres

TOSHKOVSKI URON SHQIPTARËT PËR 28 NËNTORIN, POLICIA NË GATISHMËRI PËR FESTIMET!

Një ditë para festimeve të 28 Nëntorit, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, u ka përcjellë urimet shqiptarëve për Ditën e Flamurit. Ai ka vlerësuar rëndësinë historike të kësaj feste, ndërsa ka paralajmëruar masa të shtuara policore për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë festimeve në Shkup dhe qytetet e tjera të vendit.

Një ditë para festimeve që pritet të organizohen në Shkup me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka përcjellë urimet e tij për të gjithë shqiptarët.
Ai e cilësoi këtë datë si një festë me rëndësi të veçantë për shqiptarët, duke vlerësuar peshën e saj historike.
PANÇE TOSHKOVSKI – Ministër i Punëve të Brendshme
“Fillimisht, dua t’ua uroj bashkëqytetarëve tanë Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Le të jetë një ditë e mbarë. Shpresoj dhe uroj që të kenë një ditë të këndshme e të lumtur. Uroj që këtë ditë të rëndësishme ta kalojnë pranë më të afërmve dhe familjarëve të tyre, duke diskutuar për gjëra të mira.”

Ndërkohë, Toshkovski ka deklaruar se policia do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çdo incident apo tentativë për cenimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë festimeve të 28 Nëntorit.
Ai bëri të ditur se aktivitetet festive do të jenë nën monitorimin e policisë, duke theksuar se personat që mund të tentojnë të prishin mbarëvajtjen e festës janë të paktë dhe nuk përfaqësojnë shumicën.
PANÇE TOSHKOVSKI – Ministër i Punëve të Brendshme
“Kam një porosi për të gjithë ata, pasi ka disa zëra se mund të ketë veprime të kundërligjshme. Ministria e Punëve të Brendshme do të jetë maksimalisht e fokusuar në ruajtjen e sigurisë dhe rendit në shtet. Nuk do të lejojmë të përsëritet ajo që ndodhi para disa vitesh, kur u rrezikua siguria në komunikacion. Nuk pres ndonjë cenim tjetër të rendit dhe qetësisë publike, por nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. I lus të gjithë ata që dëshirojnë ta festojnë këtë ditë të rëndësishme, që ta bëjnë këtë në përputhje me të gjitha normat ligjore.”

Ndryshe, përveç 28 Nëntorit, në Shkup, Manastir dhe qytete të tjera të vendit janë organizuar festime edhe për datat e tjera historike që shënohen gjatë muajit nëntor në kalendarin kombëtar shqiptar./Tv Koha – Shkup/ 

Advertisement
Exit mobile version