Interi në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales të Ligës së Kampionëve në ‘’San Siro’’ mundi Barcelonën 4-3 dhe kualifikohet në finalen e madhe që do të zhvillohet më 31 maj në Munih. Finalisti i dytë do të mësohet sonte pas ndeshjes PSZH – ARSENAL
Interi është ekipi i parë finalist i këtij sezoni të Ligës së Kampionëve pasi mbrëmë në një ndeshje spektakolare që zgjati mbi 120 minuta mundi Barcelonën me rezultatin 4-3 dhe me rezultatin e përgjithshëm nga të dyja takimet 7 me 6 kualifikohet për finalen e 31 majit që do të luhet në “Allianz Arena” në Munih
Pas spektaklit në ndeshjen e parë në Katalonjë, ku rezultati përfundimtar shënoi 3-3, edhe mbrëmë në “San Siro” pamë një ndeshje spektakolare që nga minuta e parë e deri në fund, e cila po ashtu regjistroi shifrat 3-3 gjatë kohës së rregullt. Në kohën shtesë prej 30 minutash, Interi shënoi golin e katërt që vulosi kualifikimin për në finale.
Autor të golave për Interin ishin Lautaro Martinez, Hakan Çalhanoglu nga penaltia, Akerbi dhe Davide Frattesi, ndërsa për Barcelonën shënuan Eric Garcia, Dani Olmo dhe Rafinja.
Interi në finale do të përballet me fituesin nga ndeshja e sontme mes PSZH dhe Arsenal, që fillon në ora 21:00.Kujtojmë se në ndeshjen e parë në Londër fituese doli kampioni francez me rezultatin 1-0