Site icon Tetova Expres

Fillon fushata “0 % korrupsion – Le të jetë e vërtetë!”, përmes raportimit të parregullsive deri në tolerancë zero

Fushata “0 për qind korrupsion – Le të jetë e vërtetë!” e cila ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e raportimit të korrupsionit dhe t’i inkurajojë ata të ndërmarrin hapa aktiv në luftën kundër këtij fenomeni negativ filloi sot. Në promovimin e fushatës u theksua se progresi i qëndrueshëm mund të arrihet vetëm përmes transparencës, besimit dhe pjesëmarrjes aktive të qytetarëve.

Drejtori i Byrosë për siguri publike, Aleksandar Janev në aktivitetin me rastin e fillimit të fushatës të mbajtur në Klubin e anëtarëve të Parlamentit, theksoi se institucionet po ofrojnë mbështetje të fortë të fushatës.

“Do të përdorim të gjitha njohuritë dhe kapacitetet tona dhe do të punojmë në sistemet për raportimin e korrupsionit si dhe do të sigurojmë mbrojtjen dhe konfidencialitetin e personave që raportojnë. Detyra jonë është të krijojmë besim tek qytetarët, t’i inkurajojmë ata të jenë pjesë e zgjidhjes dhe t’i mundësojmë atyre të raportojnë rastet e korrupsionit në mënyrë të sigurt dhe efektive. Besoj se do të sigurojmë koordinim efikas dhe reagim të shpejtë në mënyrë që ato të përpunohen dhe sanksionohen në kohën më të shkurtër të mundshme. Mbështetja jonë për këtë fushatë është e pakursyer dhe me një qëllim të qartë për të rritur transparencën dhe llogaridhënien në institucione, krijimin e një mjedisi ku qytetarët ndihen të sigurt dhe të motivuar për të raportuar parregullsitë”, tha Janev.

Potencoi se është i bindur se ata do të zvogëlojnë praktikat korruptive në të gjitha nivelet.

“Duhet të fillojmë t’i japim fund problemeve që kemi të gjithë si qytetarë, ndërsa janë gjeneruar nga veprime korruptive. Këto nuk duhet të jenë fjalë deklarative, por duhet të kalojmë në veprime”, shtoi ai.

Advertisement

Eksperti për antikorrupsion dhe larje parash, Mojca Kuzmiçki, potencoi se fokusi kryesor i kësaj fushate është rritja e ndërgjegjësimit dhe ndërtimi i besimit, që njerëzit të mund ta njohin korrupsionin, të kuptojnë ndikimin e tij të dëmshëm dhe të ndihen të sigurt dhe të inkurajuar për të ndërmarrë aksione.

“Sot nuk prezantojmë thjesht një fushatë tjetër, po prezantojmë iniciativë jetësore e cila fokusohet në parandalimin përmes ngritjes së ndërgjegjësimit, edukimit dhe përfshirjes aktive të qytetarëve në luftën kundër korrupsionit, e cila nuk është detyrë vetëm e një institucioni. Ajo është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë shoqërisë. Vetëm përmes bashkëpunimit të qytetarëve, agjencive të zbatimit të ligjit dhe shoqërisë civile mund të ndërtojmë një shtet më transparent, të drejtë dhe të besueshëm. Me ngjarjen e sotme hapim një kapitull të ri në të cilin çdo individ është pjesë e zgjidhjes”, theksoi ajo.

Fushata e cila është pjesë e projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit” financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa i zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të promovohet përmes mediave sociale, platformave mediatike dhe me mbështetjen e figurave publike me ndikim, me qëllim që të inkurajohet afirmim më i madh i iniciativës.

Exit mobile version