Lajme nga vendi
Fillon fushata “0 % korrupsion – Le të jetë e vërtetë!”, përmes raportimit të parregullsive deri në tolerancë zero

Fushata “0 për qind korrupsion – Le të jetë e vërtetë!” e cila ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e raportimit të korrupsionit dhe t’i inkurajojë ata të ndërmarrin hapa aktiv në luftën kundër këtij fenomeni negativ filloi sot. Në promovimin e fushatës u theksua se progresi i qëndrueshëm mund të arrihet vetëm përmes transparencës, besimit dhe pjesëmarrjes aktive të qytetarëve.
Drejtori i Byrosë për siguri publike, Aleksandar Janev në aktivitetin me rastin e fillimit të fushatës të mbajtur në Klubin e anëtarëve të Parlamentit, theksoi se institucionet po ofrojnë mbështetje të fortë të fushatës.
“Do të përdorim të gjitha njohuritë dhe kapacitetet tona dhe do të punojmë në sistemet për raportimin e korrupsionit si dhe do të sigurojmë mbrojtjen dhe konfidencialitetin e personave që raportojnë. Detyra jonë është të krijojmë besim tek qytetarët, t’i inkurajojmë ata të jenë pjesë e zgjidhjes dhe t’i mundësojmë atyre të raportojnë rastet e korrupsionit në mënyrë të sigurt dhe efektive. Besoj se do të sigurojmë koordinim efikas dhe reagim të shpejtë në mënyrë që ato të përpunohen dhe sanksionohen në kohën më të shkurtër të mundshme. Mbështetja jonë për këtë fushatë është e pakursyer dhe me një qëllim të qartë për të rritur transparencën dhe llogaridhënien në institucione, krijimin e një mjedisi ku qytetarët ndihen të sigurt dhe të motivuar për të raportuar parregullsitë”, tha Janev.
Potencoi se është i bindur se ata do të zvogëlojnë praktikat korruptive në të gjitha nivelet.
“Duhet të fillojmë t’i japim fund problemeve që kemi të gjithë si qytetarë, ndërsa janë gjeneruar nga veprime korruptive. Këto nuk duhet të jenë fjalë deklarative, por duhet të kalojmë në veprime”, shtoi ai.
Eksperti për antikorrupsion dhe larje parash, Mojca Kuzmiçki, potencoi se fokusi kryesor i kësaj fushate është rritja e ndërgjegjësimit dhe ndërtimi i besimit, që njerëzit të mund ta njohin korrupsionin, të kuptojnë ndikimin e tij të dëmshëm dhe të ndihen të sigurt dhe të inkurajuar për të ndërmarrë aksione.
“Sot nuk prezantojmë thjesht një fushatë tjetër, po prezantojmë iniciativë jetësore e cila fokusohet në parandalimin përmes ngritjes së ndërgjegjësimit, edukimit dhe përfshirjes aktive të qytetarëve në luftën kundër korrupsionit, e cila nuk është detyrë vetëm e një institucioni. Ajo është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë shoqërisë. Vetëm përmes bashkëpunimit të qytetarëve, agjencive të zbatimit të ligjit dhe shoqërisë civile mund të ndërtojmë një shtet më transparent, të drejtë dhe të besueshëm. Me ngjarjen e sotme hapim një kapitull të ri në të cilin çdo individ është pjesë e zgjidhjes”, theksoi ajo.
Fushata e cila është pjesë e projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit” financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa i zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të promovohet përmes mediave sociale, platformave mediatike dhe me mbështetjen e figurave publike me ndikim, me qëllim që të inkurajohet afirmim më i madh i iniciativës.
Lajme nga vendi
Kontrolli i DAP-it për fiskalizimin, parregullsi tek 30 për qind e subjekteve, katër mbyllen

Kater subjekte juridike janë mbyllur, prej të cilëve tre në Ohër dhe një në Strugë, për shkak të mosdhënies së faturave fiskale. Kontrolli i Drejtorisë për të Ardhurat Publike, i zbatuar nga 28 korriku deri më 3 gusht në shumë qytete, përfshirë edhe vendet turistike, ka treguar se tek 30 për qind e objekteve të kontrolluara janë konstatuar parregullsi në përputhje me Ligjin për regjistrimin e qarkullimit të parave të gatshme.
Në kontrollë janë përfshirë, restorante, kafe-barë, banak plazhi, ëmbëltore, markete, dyqane për rroba dhe bizhuteri, hotele, transportues automjetesh, parkingje dhe subjekte të tjera tregtare për shitje me pakicë.
“Nga 214 subjekte të kontrolluara, tek 30,8 për qind, gjegjësisht tek 66 prej tyre, janë konstatuar parregullsi në përputhje me Ligjin për regjistrimin e qarkullimit të parave të gatshme. Për parregullsitë e konstatuara janë marrë 66 masa sanksionuese – gjoba, të cilat do të shqiptohen në përputhje me madhësinë e subjektit. Për katër, gjegjësisht tre subjekte nga Ohri dhe një nga Struga, për shkak të mosdhënies së faturave fiskale për herë të dytë brenda një periudhe dyvjeçare, është shqiptuar masa e ndalimit të përkohshëm për ushtrimin e aktivitetit (shtypje)”, informojnë nga DAP-i.
Numri më i madhë i kontrolleve janë kryer në Strugë, Ohër dhe Manastir (126) ku janë konstatuar 29 parregullsi, prej të cilave 11 në Strugë dhe 18 në Ohër.
Në kryeqytet janë kryer gjithsej 14 kontrolle, ku janë konstatuar katër parregullsi. Në Prilep janë kryer shtatë kontrolle, ndërsa janë konstatuar tre parregullsi. Në Tetovë dhe Gostivar janë kryer 32 kontrolle dhe janë konstatuar 14 parregullsi, nga të cilat 13 në Tetovë dhe një në Gostivar. Në Shtip, Negotinë, Demir Kapi, Kavadarc, Veles dhe Kumanovë janë kryer 35 kontrolle, ndërsa janë konstatuar 16 parregullsi, edhe atë një parregullsi në Negotinë dhe Kavadarc, dy në Demir Kapi, tre në Shtip, katër në Veles dhe pesë parregullsi në Kumanovë.
Lajme nga vendi
27 shqiptarë punësohen në Fondin për Sigurim Shëndetësor

Në kuadër të përpjekjeve për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore, janë realizuar 27 punësime në Fondin për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë së Veriut.
Lajme nga vendi
Nëntë vjet nga përmbytjet katastrofale në Gazi Babë ku humbën jetën 22 persona

Sot bëhen nëntë vjet nga përmbytjet katastrofale në Hasanbeg, Stajkovc dhe fshatrat përreth, ku humbën jetën 22 persona.
Gjatë motit të paprecedent dhe përmbytjes shkatërruese u shpëtuan mijëra qytetarë, ndërsa jetën e humbën 22 persona. Viktima më e re ishte një fëmijë dyvjeçar nga fshati Stajkovc.
Të ndjerët nga kjo fatkeqësi natyrore ishin nga rajonet e fshatrave Hasanbeg, Stajkovcë, Smilkovcë dhe Haraçinë. Shumica e viktimave humbën jetën në rrethrrotullimin e Shkupit, ndërsa disa u mbytën nëpër shtëpitë e tyre, të zënë nga uji dhe pa mundësi për të dalë.
Brenda 24 orëve të datës 6 gusht 2016, në Shkup ranë 92.9 litra shi për metër katror, ndërsa në dy orët e para të stuhisë u regjistruan mbi 800 rrufe.
Qytetarët nga e gjithë Maqedonia, të koordinuar nga Kryqi i Kuq, Shtabi i Krizës dhe institucionet përkatëse, u solidarizuan ditët në vijim për të grumbulluar ndihma të domosdoshme për të prekurit.
Data 8 gusht 2016 u shpall Ditë Zie.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve