Ndeshja kualifikuese mes Serbisë dhe Shqipërisë raundi i pestë në Grupin “K” e vlefshme për kualifikim në “Botërorin 2026”që mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksik do të zhvillohet në stadiumin “Rajko Mitiç”në Beograd me 11 tetor
Federata e Futbollit të Serbisë ka konfirmuar se ndeshja ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, do të zhvillohet në stadiumin “Rajko Mitić” në Beograd më 11 tetor, dhe jo në Leskovac siç ishte përfolur më parë.
Përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, Federata serbe bëri të ditur gjithashtu se edhe ndeshja ndaj Anglisë më 9 shtator do të luhet në të njëjtin stadium, ndërsa përballja e fundit ndaj Letonisë, më 16 nëntor, do të zhvillohet në stadiumin “Dubočica” në Leskovac.
Në deklaratë thuhet se pas një analize të plotë – duke përfshirë aspekte sportive, organizative dhe të sigurisë – dhe në konsultim me UEFA-n, u vendos që ndeshjet më të rëndësishme të luhen në impiantin më të madh të vendit. Sipas Federatës, “Rajko Mitić” ofron kushtet më të mira për zhvillimin e përballjeve me peshë.
Kujtojmë se ndeshja e fundit mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, e zhvilluar më 14 tetor 2014 për eliminatoret e Euro 2016, u ndërpre pas incidenteve të shumta, përfshirë futjen në fushë të një droni që mbante flamurin shqiptar me simbole historike dhe patriotike, si dhe përleshje mes lojtarëve dhe ndërprerje për shkak të hedhjes së sendeve nga tifozët.