Ekipet e Ligës së Parë me sukses janë duke zhvilluar fazën e fundit përgatitore para fillimit të sezonit të ri që nis më 8,9 dhe 10 gusht. Shkëndija mundi Rabotniçkin, Struga Trim Lum barazoi me Llapin, ndërsa Arsimi mundi Teteksin. Nesër hidhet shorti për sezonin e ri 2025/2026
Vetëm dy javë para fillimit të sezonit të ri në Ligën e Parë të futbollit ekipet në kuadër të përgatitjeve të fazës së fundit krahas seancave të rregullta stërvitore zhvillojnë edhe ndeshje kontrolluese.
Kampioni në fuqi Shkëndija e Tetovës , mbrëmë me një formacion të kombinuar ka zhvilluar ndeshje kontrolluese me ekipin e Rabotniçkit të cilën e fitoi 3-1. Autor të golave për kuqezinjtë ishin Florent Ramadani 2 dhe Fiton Ademi 1 gol, ndërsa për romantikët shënoi Velkovski. Qëllimi i ndeshjes kontrolluese ishte që trajneri Beqiri të njihet edhe me formën e lojtarëve të cilët kanë pasur më pak minutash në ndeshjet e deri tanishme
Klubi i futbollit Struga Trim Lum ka zhvilluar edhe ndeshjen e katërt kontrolluese , kësaj radhe kundër ekipit Llapi nga kampionati i Kosovës. Ndeshja kontrolluese Struga Trim Lum – Llapi, që u zhvillua në stadiumin e qytetit në Strugë përfundoi me shifra të barabarta 1-1
Për kundërshtarë këtë herë kishim skuadrën e njohur kosovare të KF Llapit…
Struga Trim Lum ka barazuar 1:1 kundër KF Llapit. Në këtë ndeshje ekipi i trajnerit Bledi Shkëmbi u paraqit dukshëm më mirë, kjo edhe për faktin se ishte ndeshja jonë e katërt para sezonale, përmes të cilave strategu nga Korça po lexon mirë formën e çdo futbollisti. Autor të golave ishin Memetriza Hamza për ekipin vendas, ndërsa Diako për Llapin.
Debutuesi në Ligën e Parë Arsimi i Çegranit ndeshje kontrolluese ka zhvilluara me debutuesin në ligën e dytë ekipin e Teteksit të Tetovës. Golat për ekipin nga Çegrani i kanë shënuar Alban Taipi, Ignjatov, Olatunbosun, Asani dhe Shabani.
Kujtojmë, sezoni i ri në Ligën e Parë Futbollistike të RMV-së starton me datë 8 gusht (e premte), derisa ndeshje do të ketë edhe me datat 9 dhe 10 gusht.
Do të jetë kjo hera e parë në histori që ndeshjet e Ligës së Parë do të zhvillohen në tre ditë të ndryshme. Shorti për kampionatin e ri 2025/2026 do të hidhet nesër në hapësirat e FFM-së.