Gjashtë zjarre janë aktive në të gjithë vendin, disa që kanë filluar gjatë 24 orëve të fundit dhe të tjerë që më këmbëngulje vazhdojnë të rindizen. Autoritetet njoftojnë se prej ditës së djeshme kanë evidentuar gjithsej 12 zjarre por 6 prej tyre janë shuar plotësisht.
“Më i vështiri dhe më specifiku është zjarri i cili për ditë me radhë digjet në malin Goten mes Komunave Vasilevë, Berovë dhe Radovish. Ky zjarr shkaktoi shqetësime në mesin e banorëve por kategorikisht i siguroj se nuk mund të rrezikojë asnjë fshat”, tha Stojançe Angellov, Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim njofton se 150 persona merrem me zjarrin në atë lokacion përfshirë zjarrfikës, anëtarë të Pyjeve Kombëtare dhe banorë kurse ekskavatorët pastrojnë rrugën përreth malit që zjarri të mos kalojë në anën tjetër.
Angellov njoftoi se zjarri në Zhelinë vazhdon të rindizet dhe ngriti dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.
“I radhës më i vështiri është zjarri në Zhelinë të cilin vazhdimisht e vendosim nën kontroll, e shuajmë por përsëri ndizet. Shtrohet pyetja se kush me këmbëngulje e ndez përsëri zjarrin në Zhelinë”, shtoi ai.
Prej më gjatë kohësh aktiv është edhe zjarri në Makedonski Brod, kurse zjarr aktiv që ka filluar brenda natës ka edhe mes komunave Kavadar dhe Prilep dhe në territorin e Mariovës.
Temperaturat dhe erërat e lehta vështirësojnë shuarjen por Angellov thotë se qëllimi është vendosja e zjarreve në kontroll.
Ndërkohë LSDM akuzon pushtetin për paaftësi në menaxhimin e situatës me zjarret. Sipas opozitës 20 për qind e territorit të vendit është përfshirë nga zjarret, ndërsa kryeministri tenton ta promovojë veten si patriot i madh.
“Nga zjarret digjet e gjithë Maqedonia. Shtrohet pyetja, a është kjo pjesë e planit patriotik të Mickoskit? Me çfarë fytyre Mickoski flet për patriotizëm, pasi e la të gjithë shtetin pa pajisje përkatëse për përballje me zjarret. Vjet Mickoski premtoi revizion dhe modernizim të sistemit zjarrfikës. Ndërsa ajo që e shohim sot është degradim i tërësishëm i këtij sistemi. Në vend të automjeteve të reja, Qeveria e MRO-DPMNE-së furnizoi celularë zyrtarë në vlerë prej 7 milion euro”, tha Metodija Ilievski, nënkryetar i LSDM-së.
Autoritetet shpresojnë se ulja e temperaturave do t’i ndihmojë në luftën me zjarret./Alsat.mk