Site icon Tetova Expres

Qytetarët dyshojnë se temperaturat mund të jenë shumë të larta nga sa thuhet

Në ditët kur termometri kalon 40 gradë, shumë qytetarë ankohen se temperatura që ata ndjejnë në rrugë është shumë më e lartë nga ajo që paraqitet në media. Në rrjetet sociale janë shpërndarë matje me termometra portativë që tregojnë temperatura shumë më të larta, nga ato zyrtare të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike.

Kjo ka bërë që disa qytetarë të akuzojnë institucionin zyrtar se po i fsheh ose minimizon të dhënat reale të motit. Por, sinoptikët thonë se ka një arsye të qartë pse ndodh ky dallim.

“Në shtëpizat meteorologjike, gjithkund në botë kështu matet, ato janë të vendosura në lartësi 2,5 metra, dërrasat vendosen nën këndin e duhur, 45 gradë, pra gjithkund në botë janë të vendosura ato kushte. Nuk bëhet fjalë për fshehje të temperaturave. Sigurt që ka temperatura shumë më të larta, sepse ndikon edhe nënshtresa, nuk është njësoj nëse ndodhemi në sipërfaqe me barë, beton apo asfalt. Nëse në rrethinë kemi mure të larta të betonit, apo jemi në të hapur.  E gjithë kjo ndikon, megjithatë për temperaturat e publikuara zyrtare, kushtet standarde duhet të respektohen”, tha Lençe Rizova, Enti Hidrometeorologjik.

Sipas këtyre standardeve, çdo devijim nga vendndodhja, ekspozimi në diell apo pajisja jo-profesionale, mund të japë rezultate të ndryshme. Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike dhe Agjencive të Motit, dallimi mes matjes në hije dhe asaj në diell mbi asfalt mund të arrijë nga 10 deri në 15 gradë Celsius.
Në ndërkohë sinoptikët thonë se pas valës përvëluese, vjen freskimi.

“Prej nesër do të kemi temperaturë më të ulët ditore për 3-4 gradë celsius. Megjithatë ndryshim më të madh të motit presim nga e hëna, kur temperaturat e ditës do të bien gradualisht, kështu që deri të mërkurën do të bien nga 8 deri në 10 gradë celsius, krahasuar me ato që i kishim këto ditë. Do të ketë kushte për reshje të përkohshme të shiut, që në disa vende do të jenë të rrëmbyeshëm”, shtoi Lençe Rizova, Enti Hidrometeorologjik.

Advertisement

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes, pasi ndryshimet e temperaturave në këto përmasa, mund të kenë ndikim në shëndet./Alsat.mk

Exit mobile version