Përplasje mes faktorëve politikë në vend pas paralajmërimeve të Ministrisë së Kulturës për revitalizimin e Kalasë së Shkupit. Bashkimi Demokratik për Integrim, bashkë me partnerët e saj në Frontit Evropian, dy Aleancat për Shqiptarët, akuzojnë se këto punime kanë për qëllim falsifikimin e historisë në Kalanë e Shkupit dhe rrjedhimisht dëmtimin e identitetit të saj.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin lidhur me projektin e paralajmëruar për ndërtimin e objekteve të reja në hapësirën e Kalasë së Shkupit, të cilat, në vend të ruajtjes dhe promovimit të vlerave historike, rrezikojnë të shëmtojnë dhe të tjetërsojnë origjinalitetin arkitektonik e kulturor të këtij lokaliteti me rëndësi të veçantë për të gjithë qytetarët”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Megjithatë, zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës shqiptare, duke theksuar se nuk do të ketë ndërtime apo kishë në Kalanë e Shkupit, ndërsa aktivitetet janë për të revitalizuar një ndër monumentet më të rëndësishme të Shkupit që gjatë periudhës së kaluar është lënë në harresë.
“Tashmë Kalaja është pastruar, është rregulluar sistemi i ujitjes. Po rregullohet në të gjitha format, është e hapur për qytetarët, për turistët si vend atraktiv. Do të lëshohen në përdorim Muzeu Parahistorik dhe Muzeu i periudhës Osmane, të cilat kanë qenë plotësisht të ndërtuar vetëm do të lëshohen në përdorim, ndërsa kishë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë.Pra, në Kala nuk do të ketë ndërtime. Kështu që s’kanë pse brengoset BDI-ja, por vetëm është një tendencë për të fituar ndonjë pikë politike apo për të manipuluar në marrëdhëniet ndëretnike në shtet”, deklaroi Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër.
Edhe nga Ministria e Kulturës hodhën poshtë akuzat e BDI-së dhe ASH-së, duke theksuar se janë ndërmarrë aktivitete pastrimi, por nuk është kryer kurrfarë aktiviteti ndërtimor.
“Njëkohësisht ju informojmë se në Kalanë e Shkupit nuk janë kryer punime ndërtimore. Përkundrazi, atje janë ndërtuar tashmë dy muze, Muzeu i Parahistorisë dhe Muzeu i Periudhës Osmane, të cilët do të vihen në përdorim deri në fund të vitit”, thonë nga Ministria e Kulturës.
Reagimet politike për punimet në Kalanë e Shkupit, janë në kontekst të ngjarjeve të vitit 2011. Pushteti i atëhershëm i Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit, nuk arriti të parandalojë incidentin ndëretnik për shkak të ndërtimit të një objekti në Kala që pretendohej të ishte kishë. Në përplasjen fizike, dhjetëra të rinj shqiptarë të udhëhequr nga Lëvizja Zgjohu e Artan Grubit përfunduan me lëndime, ndërsa dhjetëra të tjerë në burg.