Site icon Tetova Expres

PSG FITUESE E SUPERKUËS EUROPIANE

Paris Saint-Germain shpallet Superkampion i Europës.Francezët shënuan dy gola në fund të ndeshjes dhe mundën në mënyrë dramatike Tottenhamin falë penalltive.

 PSG triumfoi në finalen e Superkupës së Europës, duke përmbysur rezultatin ndaj Tottenhamit në sekondat e fundit dhe në kohën e rregullt sfida u përmbyll me shifrat 2 me 2, dhe ndryshe nga formatet e kaluara, nuk ka pasur vazhdime me dy pjesë nga pesëmbëdhjetë minuta ,por skuadrat kanë kaluar direkt te penalltitë,me ç’rast futbollistët francez ishin më efikas nga 11 metërshi duke ngadhënjyer me rezultatin 4-3. Tottenham dukej se do ta fitonte përballjen, pasi e kishte ndeshjen nën kontroll pas golave që realizuan Van de Ven dhe Cristian Romero në pjesën e parë, por PSG nuk u dorëzua duke shkurtuar diferencën përmes futbollistit Lee në minutën e tetëdhjetë e pestë me një goditje të saktë, ndërsa Goncalo Ramos në minutën e nëntëdhjetë e katërt realizoi një goditje nga afërsia për barazimin  2 me 2, duke çuar ndeshjen në penallti. Vitinha e ka humbur penalltinë për PSG, ndërsa për Tottenham kanë gabuar Van de Ven dhe Tel. Në fund, Nuno Mendes e ka vulosur fatin e ndeshjes me gjuajtjen vendimtare, duke bërë që ekipi francez ta fitojë trofeun. Kjo është Superkupa e parë Europiane për PSG, e cila kërkon të vazhdojë me formën që mbylli sezonin e kaluar. Vlen të theksohet se një mesazh i fuqishëm dhe simbolik u shfaq para fillimit të finales së Superkupës së UEFA-s mes PSG dhe Tottenhamit në stadiumin “Dacia Arena” në Udine, me ç’rast futbollistët dhe fëmijët që i shoqëronin në fushë mbajtën një banderolë me mesazhin e qartë: Ndaloni vrasjen e fëmijëve. Ndaloni vrasjen e civilëve. Edhe pse UEFA nuk përmendi drejtpërdrejt asnjë shtet apo palë të përfshirë, koha dhe përmbajtja e mesazhit kanë ngjallur dyshime të forta se ai lidhet me situatën aktuale në Lindjen e Mesme më saktë, me ofensivën e vazhdueshme në Gaza dhe humbjen e jetëve të pafajshme.

Shaban Sinani – TV Koha

Exit mobile version