Site icon Tetova Expres

Tre persona dyshohet se shkaktuan vdekjen e një burri pas rrahjes në Kavadar

Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka hapur hetim kundër tre personave, të dyshuar si bashkautorë të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen”, në bazë të nenit 131 të Kodit Penal.

Dy nga të dyshuarit janë 27-vjeçarë, ndërsa i treti 35 vjeç. Ngjarja ka ndodhur më 27 gusht, rreth orës 05:00 të mëngjesit, në një kazino në Kavadar. Pas një debati verbal me viktimën, tre të dyshuarit kanë dalë jashtë, ku e kanë sulmuar fizikisht me grushte dhe shqelma në trup dhe kokë.

Viktima është përpjekur të kthehet në kazino, por ka humbur vetëdijen dhe ka ndërruar jetë nga plagët e marra, njoftojnë nga Prokuroria.

Në kuadër të hetimeve do të sigurohen prova shtesë, përfshirë edhe ekspertizë psikiatrike ndaj të dyshuarve. Prokuroria paralajmëron se, nëse vërtetohet se ka pasur qëllim për ta privuar nga jeta viktimën, vepra mund të rikualifikohet në “Vrasje”.

Prokurori ka paraqitur edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, duke pasur parasysh rrezikun e arratisjes. Kjo, sipas Prokurorisë, vërtetohet edhe nga sjellja e tyre pas ngjarjes, pasi nuk janë paraqitur në polici, por së bashku janë strehuar në banesën e njërës prej tyre.

Advertisement
Exit mobile version