Pasi Enti i Revizionit zbuloi se konvikti studentor në Tetovë u lëshua në përdorim pa miratim dhe pa kontroll teknik të objektit, nga Ministria e Arsimit për Portalb.mk thonë se do ta përfundojnë projektin, por pa dhënë afat konkret.
Enti Shtetëror i Revizionit nxori në pah se Konvikti Shtetëror Studentor në Tetovë u lëshua në përdorim pa kontroll teknik të objektit dhe pa miratim për kryerjen e veprimtarisë.
Nga Ministria e Arsimit për Portalbin theksuan se sipas vërejtjeve të Entit Shtetëror të Revizionit, projekti për konviktin shtetëror studentor në Tetovë nuk është realizuar plotësisht, përkatësisht nuk janë përpunuar të gjitha pozicionet e dokumentacionit projektues.
“Objekti është funksional, i vënë në përdorim dhe pas të gjitha kontrolleve i sigurt për përdorim, ndërsa ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Shkencës do ta përmbyllë plotësisht projektin e paraparë”, thanë nga Ministria e Arsimit.
Revizorët kanë konstatuar mangësi në projektin e konviktit studentor në Tetovë.
“Konvikti shtetëror i studentëve në Tetovë është ndërtuar me mjete buxhetore në vlerë totale prej 212.407 mijë denarësh (3.450.000 euro), dhe është vënë në përdorim pa u kryer kontroll teknik i objektit dhe pa miratim për përdorim të tij”, thuhet në raport.
Raporti vë në dukje se, pajisjet e blera për kuzhinën e konviktit, për shkak të moskryerjes së ventilimit, nuk janë vënë në përdorim, që do të thotë se, edhe pse janë shpenzuar mjete, një pjesë e objektit nuk mund të përdoret funksionalisht për qëllimin për të cilin është parashikuar.
Për këto probleme Portalb.mk ka shkruar rregullisht me një seri tekstesh.
Revizorët gjithashtu konstatuan dobësi edhe në zbatimin e procedurave dhe realizimin e kontratave për prokurime publike për investime kapitale në konviktin e Tetovës.
“Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara janë dhënë rekomandime me qëllim të ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve nga personat dhe organet kompetente në funksion të përmirësimit të gjendjeve”, thuhet në raport.
Përndryshe, konvikti studentor në Tetovë u lëshua në përdorim me 1 nëntor 2023 pas shumë zvarritjeve të punimeve dhe premtimeve të cilat datojnë që nga viti 2016.