Connect with us

Lajme nga vendi

MASH për parregullsitë në konviktin studentor: Do ta përfundojmë projektin

Published

on

Pasi Enti i Revizionit zbuloi se konvikti studentor në Tetovë u lëshua në përdorim pa miratim dhe pa kontroll teknik të objektit, nga Ministria e Arsimit për Portalb.mk thonë se do ta përfundojnë projektin, por pa dhënë afat konkret. 

Enti Shtetëror i Revizionit nxori në pah se Konvikti Shtetëror Studentor në Tetovë u lëshua në përdorim pa kontroll teknik të objektit dhe pa miratim për kryerjen e veprimtarisë.

Nga Ministria e Arsimit për Portalbin theksuan se sipas vërejtjeve të Entit Shtetëror të Revizionit, projekti për konviktin shtetëror studentor në Tetovë nuk është realizuar plotësisht, përkatësisht nuk janë përpunuar të gjitha pozicionet e dokumentacionit projektues.

“Objekti është funksional, i vënë në përdorim dhe pas të gjitha kontrolleve i sigurt për përdorim, ndërsa ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Shkencës do ta përmbyllë plotësisht projektin e paraparë”, thanë nga Ministria e Arsimit. 

Revizorët kanë konstatuar mangësi në projektin e konviktit studentor në Tetovë. 

Advertisement

“Konvikti shtetëror i studentëve në Tetovë është ndërtuar me mjete buxhetore në vlerë totale prej 212.407 mijë denarësh (3.450.000 euro), dhe është vënë në përdorim pa u kryer kontroll teknik i objektit dhe pa miratim për përdorim të tij”, thuhet në raport. 

Raporti vë në dukje se, pajisjet e blera për kuzhinën e konviktit, për shkak të moskryerjes së ventilimit, nuk janë vënë në përdorim, që do të thotë se, edhe pse janë shpenzuar mjete, një pjesë e objektit nuk mund të përdoret funksionalisht për qëllimin për të cilin është parashikuar. 

Për këto probleme Portalb.mk ka shkruar rregullisht me një seri tekstesh. 

Revizorët gjithashtu konstatuan dobësi edhe në zbatimin e procedurave dhe realizimin e kontratave për prokurime publike për investime kapitale në konviktin e Tetovës. 

“Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara janë dhënë rekomandime me qëllim të ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve nga personat dhe organet kompetente në funksion të përmirësimit të gjendjeve”, thuhet në raport. 

Advertisement

Përndryshe, konvikti studentor në Tetovë u lëshua në përdorim me 1 nëntor 2023 pas shumë zvarritjeve të punimeve dhe premtimeve të cilat datojnë që nga viti 2016.

Lajme nga vendi

MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare

Published

on

Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).

“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar

Published

on

Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.

Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.

Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar

Published

on

Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.

Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.

„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.

Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.

Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.

Advertisement

„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.

Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

Continue Reading

Më të lexuarat