Salla e re Universale do ta ruajë formën ekzistuese me qëllim respektimin e kujtesës kolektive, do të ketë një kapacitet prej 1.200 ulëse, ndërsa do të pajiset me akustikë të re hapësinore dhe sisteme bashkëkohore tekniko-teknologjike, theksoi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, pas prezantimit të sotëm të zgjidhjes pamore të këtij objekti kult për shkupjanët.
“Sot, publikut të Maqedonisë së Veriut iu prezantua zgjidhja vizuale për Sallën e re Universale – një strukturë moderne dhe funksionale që do të rikthejë rëndësinë e këtij lokacioni kult dhe do t’i japë energji të re skenës kulturore në Shkup. Projekti, i cili u mor përsipër nga Qyteti i Shkupit, është ruajtur në pjesën e zgjidhjes konceptuale arkitekturore. Ndryshimet u bënë në pjesën e elementeve konstruktive, në përputhje me udhëzimet nga studimet shtesë të kërkuara nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, ndërsa ishin të domosdoshme pas djegies së objektit”, tha ministri Lutkov.
Me këtë rast, ai informoi se është përpunuar një akustikë e re hapësinore, e cila përfshin sisteme tekniko-teknologjike – HVAC, teknikë dhe mekanikë skenike, ndriçim LED, si dhe instalime audio-video dhe elektrike.
Ai theksoi se pret që në fillim të tetorit të përfundojnë edhe procedurat për përzgjedhjen e realizuesit dhe mbikëqyrësit, me ç’rast, siç u shpreh, do të krijohen kushtet për fillimin e ndërtimit të Sallës Universale sipas sistemit “çelës në dorë”. Është planifikuar që ndërtimi pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2027.
“Me ç’rast, në vitin 2028 do të jemi të gatshëm të fillojmë me realizimin e programit për projektin “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”. Investimi sipas llogaritjes do të kushtojë 20 milionë euro. Kjo nuk është vetëm një ndërtesë – kjo është një investim në kulturën, identitetin dhe të ardhmen e Shkupit. Salla Universale do të bëhet një simbol modern i shkëmbimit kulturor, kreativitetit dhe bashkësisë, e qasshme për të gjithë qytetarët”, theksoi Lutkov pas brifingut të sotëm me gazetarët.
Për rindërtimin dhe adaptimin e objektit që është simbol i qytetit dhe i dedikuar për ngjarje të ndryshme, foli projektuesi Bujar Muça. Ndër të tjera, ai sqaroi se është ruajtur koncepti i sallës së spektatorëve – dispozita e blloqeve, hyrjeve dhe daljeve.
“Është zvogëluar numri i radhëve për të rritur komoditetin e publikut dhe për të përmbushur parametrat e sigurisë në rast evakuimi dhe mbrojtje nga zjarri. Janë paraparë rreth 1.200 ulëse, në vend të 1.500 sa kishte më parë salla”, shtoi ai.
Me këtë rast, ai njoftoi edhe një lajm të mirë për regjisorët, duke theksuar se në Sallën Universale do të mbahen premiera, ndërsa me akustikën e përmirësuar, objekti nuk do t’i pengojë banorët përreth.
Në pyetjen e gazetarëve, ministri Lutkov deklaroi se pas përfundimit të projektit, Salla Universale do të kthehet nën kompetenca të Qytetit të Shkupit.