Site icon Tetova Expres

Zgjedhjet lokale/ Tërhiqet shorti i radhitjes,AKI me numrin 4, VLEN me numrin 7

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbajti seancë, në të cilën me short u përcaktua lista e vetme e kandidatëve për Zgjedhjet Lokale 2025. Partia në pushtet VMRO-DPMNE në fletëvotim do të jetë me numrin 9, ndërsa opozitarja LSDM me numrin 5. Qytetarët që dëshirojnë të votojnë për Aleancën Kombëtare për Integrim duhet të votojnë për numrin 4, ndërsa VLEN-i është me numër 7.  Përndryshe,  lista me numrat rendorë nën të cilët do të paraqiten kandidatët e partive për kryetarë komunash në zgjedhjet e ardhshme lokale është si vijon:

  1. Përvojë për sukses
  2. ZNAM
  3. Partia Demokratike e Serbëve
  4. Aleanca Kombëtare për Integrim – AKI
  5. Koalicioni për zgjedhjet lokale 2025 – LSDM
  6. E Majta
  7. Koalicioni VLEN
  8. Koalicioni për të Ardhme të Gjelbër
  9. Koalicioni “Maqedonia Jote” – VMRO-DPMNE

Fushata zgjedhore për zgjedhjet fillon të hënën më 29 shtator dhe përfundon më 17 tetor, pra 24 orë para ditës së votimit. Qytetarët do të zgjedhin kryetarë komunash dhe këshillat komunalë më 19 tetor, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 2 nëntor.  Përndryshe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në kuadër të seancës së rregullt të 136-të, miratoi edhe Planin për zhvillimin e trajnimeve për anëtarët e këshillave zgjedhorë me orar sipas të cilit ato do të mbahen dhe që do të fillojnë javën e ardhshme, në lidhje me zgjedhjet lokale që po afrohen.

Komisioni gjithashtu miratoi Vendimin për publikimin e përshkrimeve të të gjitha 3480 vendvotimeve në vend. Pas marrjes së këtij vendimi, Komisioni do t’i publikojë këto përshkrime në faqen e tij zyrtare të internetit. Siç sqaroi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, do të publikohet numri i saktë, adresa dhe lokacioni i vendvotimeve. Ai tha se ka pasur disa ndryshime tek disa vendvotime, ose për shkak të tejkalimit të kufirit prej 1000 votuesish, ose sepse nuk i plotësonin kushtet. Për këtë, shtoi ai, janë informuar me kohë edhe komisionet komunale zgjedhore. Anëtarët e Komisionit miratuan gjashtë formularë propozimesh për përmbledhjen dhe publikimin e rezultateve nga Komisionet Zgjedhore Komunale dhe Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Shkupit. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi gjithashtu kërkesat për vëzhgim të zgjedhjeve nga ODIHR për 24 vëzhgues dhe nga Shoqata për Zhvillim Rural “Agrolider” nga Krivogashani për pesë vëzhgues. Kondarko theksoi se miratimi i vëzhguesve bëhet në mënyrë të vazhdueshme në çdo seancë, sipas mbërritjes së kërkesave. Ato mund të dorëzohen më së voni 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Anëtarët e Komisionit vendosën edhe për kërkesat për përjashtim të kryetarëve, zëvendëskryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre nga komisionet zgjedhore komunale dhe Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Shkupit, të paraqitura për arsye personale, shëndetësore ose për shkak të konfliktit të interesit. Në total u shqyrtuan 25 kërkesa për përjashtim, prej të cilave 24 u pranuan për shkak të bazës ligjore, ndërsa një u refuzua. Pas kësaj, Komisioni, me short, zgjodhi anëtarë të rinj në vend të tyre, duke u udhëhequr nga parimi i përfaqësimit të drejtë etnik dhe gjinor. (koha.mk)

Exit mobile version