Ligji për përmirësimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë përbën një reformë thelbësore që kapërcen boshllëkun shumëvjeçar mes synimit për një administratë evropiane dhe realitetit që po ndërtohet sot, tha ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë debatit publik me temë “Investim në dije – rruga drejt një administrate më efikase”.
“Me këtë ligj po vendosim themelet e një sistemi transparent, efikas dhe të ndershëm, i cili do të mbështetet te profesionalizmi, ku përparimi do të bëhet përmes dijes, jo përmes lidhjeve”, theksoi Minçev.
Sipas tij, themelimi i Akademisë për Administratë Publike do të ofrojë trajnime të strukturuara dhe zhvillim të kompetencave, ndërsa çdo i punësuar i ri do të kalojë 120 orë trajnim dhe do të japë provim para një komisioni profesional.
Ambasadori francez në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigolleur, konfirmoi mbështetjen e Francës për këto reforma, duke theksuar se modernizimi i administratës është thelbësor jo vetëm për integrimin evropian, por edhe për qytetarët.
“Reforma e administratës publike është e domosdoshme për qytetarët që presin një administratë efikase, moderne dhe transparente. Besimi në administratë është themel i besimit në demokraci”, tha Le Rigolleur.
