Lajme nga vendi
Minçev: Çdo punonjës i ri në administratën publike do të japë provim profesional
Ligji për përmirësimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë përbën një reformë thelbësore që kapërcen boshllëkun shumëvjeçar mes synimit për një administratë evropiane dhe realitetit që po ndërtohet sot, tha ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë debatit publik me temë “Investim në dije – rruga drejt një administrate më efikase”.
“Me këtë ligj po vendosim themelet e një sistemi transparent, efikas dhe të ndershëm, i cili do të mbështetet te profesionalizmi, ku përparimi do të bëhet përmes dijes, jo përmes lidhjeve”, theksoi Minçev.
Sipas tij, themelimi i Akademisë për Administratë Publike do të ofrojë trajnime të strukturuara dhe zhvillim të kompetencave, ndërsa çdo i punësuar i ri do të kalojë 120 orë trajnim dhe do të japë provim para një komisioni profesional.
Ambasadori francez në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigolleur, konfirmoi mbështetjen e Francës për këto reforma, duke theksuar se modernizimi i administratës është thelbësor jo vetëm për integrimin evropian, por edhe për qytetarët.
“Reforma e administratës publike është e domosdoshme për qytetarët që presin një administratë efikase, moderne dhe transparente. Besimi në administratë është themel i besimit në demokraci”, tha Le Rigolleur.
Lajme nga vendi
16-vjeçari nga Gostivari helmohet me alkool, përfundon në spital!
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka njoftuar për një rast helmimi të një të mituri nga Gostivari, i cili si pasojë ka përfunduar në Qendrën Urgjente të Gostivarit.
Sipas nënës së tij, alkoolin 16-vjeçari e ka konsumuar në objekt hotelerik në Gostivar.
“Më datë 01.11.2025 në orën 02:45 në DPB Gostivar, nga Qendra Urgjente Gostivar është denoncuar se tek ata është sjellë një i mitur i helmuar nga konsumimi i alkoolit. Menjëherë është vepruar sipas denoncimit dhe është konstatuar se bëhet fjalë për një 16-vjeçar nga Gostivari, dhe sipas dëshmisë së nënës së tij, alkoolin e ka konsumuar në një objekt hotelierik në Gostivar. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë, përcjell TV21.
Lajme nga vendi
Fetai: Dallgët e VLEN-it po zhurmojnë në çdo komunë, zgjimi i popullit pas 19 tetorit
Në një postim të fundit, zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi se “dallgët e VLEN-it po zhurmojnë në çdo komunë të këtij vendi” dhe përshkroi frymën e protestës dhe angazhimit si një vetëdije që ka lindur pas 19 tetorit. Ai përmendi emrat e disa komunave dhe drejtuesve vendorë si shembuj të përhapjes së mbështetjes për koalicionin.
“Kjo frymë që nuk ndalet, tanimë është kthyer në vetëdije. Është zgjimi i një populli që më 19 tetor i tha mjaft zullumit dhe vendosi të jetë protagonist i ndryshimit. Tetova e Bilallit, Bogovina e Fetiut, Bërvenica e Haqimit, Struga e Mendiut, Dibra e Fisnikut, Studeniçani i Azemit e Dollneni i Blerimit do të jenë vula e politikës së re, e politikës që matet me punë e përgjegjësi. Ne nuk kërkojmë votën tuaj për të shpëtuar vetën tonë, por për t’i pastruar komunat tona nga katrahura që e lanë pas ata që e trajtuan pushtetin si pronë të babës. Andaj, të dielën, të dalim masovikisht, që në mëngjesin e së hënës t’ia japim goditjen e fundit regjimit të vjetër dhe politikës pa krye të Ahmetit, Taravarit e Selës. Kjo është epoka jonë, epoka e të rinjve e të rejave që nuk e pranojnë nënshtrimin. VLEN me Një zë për numrin 7, numrin 133 dhe numrin 36”, shkroi Fetai.
Lajme nga vendi
Kleksani shkon në listën pozitive, nga fundi i nëntorit do të jetë i disponueshëm në farmaci
Nga fundi i muajit të ardhshëm, Kleksani do të mund të merret me recetë, njoftuan nga Fondi për Sigurim Shëndetësor. Përveç Kleksanit, edhe një medikament tjetër kundër mpiksjes së gjakut – Nadoparina, gjithashtu do të përfshihet në listën pozitive. Shuma e pjesëmarrjes për këto barna do të përcaktohet më vonë.
“Këto medikamente deri më tani ishin në listën pozitive B dhe për trajtim në shtëpi qytetarët duheshin të përdornin rimbursim. Deri në fund të nëntorit, këto dy barna do të jenë të disponueshme në farmaci me recetë. Këtu kemi një fitim të dyfishtë: qytetarët, pacientët, nuk do të kenë nevojë të shkojnë te sportelet për të marrë rimbursimin për këto medikamente dhe do të kenë akses më të lehtë tek barnat. Së dyti, ne do të kemi më pak presion pune dhe do të mund të përqendrohemi tek çështje të tjera”, tha Sasho Klekovski, drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.
Përveç kësaj, Fondi ka njoftuar se në periudhën e ardhshme do të rishikohen kriteret për sigurimin shëndetësor. Kjo do të thotë se, në bashkëpunim me Drejtorinë për të Ardhura Publike dhe Ministrinë e Brendshme do të vlerësohen rreziqet e abuzimeve, ndërsa në fokus do të jenë personat që punojnë në ekonomi të zezë ose ata që kanë të ardhura jashtë vendit dhe nuk kanë regjistruar asnjë të ardhur në vend.
“Qëllimi nuk është të hiqet sigurimi shëndetësor, por të vendoset një marrëdhënie e drejtë dhe e barabartë – kujdes shëndetësor falas të ketë për njerëzit që me të vërtetë nuk kanë të ardhura, ndërsa për ata që kanë të ardhura në ekonomi të zezë ose jashtë Maqedonisë të gjendet një mënyrë për të kufizuar hapësirën për këto abuzime”, u shpreh Sasho Klekovski, drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.
Aktualisht, në sistemin e Fondit janë të regjistruar 1.845.007 të siguruar./ Alsat.mk

