Për shkak të reshjeve të dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit, në disa lokacione në vend janë regjistruar rritje të niveleve të ujit në lumenj, si dhe disa daljet nga shtrati, objekte të përmbytura dhe rrëshqitje toke.
Rajoni i Manastirit: Dalje e lumit Shemnica te fsh. Lera, me një shtëpi dhe stalla të përmbytura. Në Komunën Novaci është ndërprerë rruga drejt minierës Brod–Gneotino për shkak të ujërave të ngritura nga Lumi i Zi.
Rajoni i Shkupit: Nivelet e lumenjve janë të rritura, por deri tani pa dalje të ujërave nga shtrati.
Rajoni i Velesit: Rrëshqitje toke dhe një pemë e rrëzuar në dy akse rrugore. Lumi Vardar është në nivel shumë të lartë me mundësi të daljes nga shtrati afër stacionit të autobusëve.
Rajoni i Kumanovës: Nuk ka dalje të lumenjve në Kumanovë dhe Likovë; po pastrohen mbetje dhe depozitime te fsh. Koince.
Rajoni i Tetovës: Nuk ka dëme të raportuara; nivelet e lumenjve janë të rritura, por pa dalje nga shtrati.
Sipas informacioneve nga SHMNM, sot pritet mot me vranësira të ndryshueshme dhe reshje lokale të dendura, me mundësi bubullimash dhe erë të fuqishme jugore mbi 60 km/h. Temperaturat do të variojnë nga 13 deri në 19 °C; në rajonin e Shkupit deri në 17 °C. Sasia më e madhe e reshjeve është matur në Pretor (66 l/m²), Krushevë (37), Manastir (30) dhe Prilep (26). Është vërejtur nivel i lartë uji në lumin Sateska në rajonin e Ohrit, me rekomandim për kujdes të shtuar.
Të gjitha institucionet kompetente janë njoftuar me kohë nga Qendra për Menaxhim me Kriza për të gjitha këto dukuri dhe janë ndërmarrë masat përkatëse për sanimin dhe mbrojtjen e popullatës dhe infrastrukturës.
Apelojmë te qytetarët të shmangin lëvizjen pranë shtrateve të lumenjve, urave dhe sipërfaqeve të përmbytura, të ndjekin udhëzimet e shërbimeve kompetente dhe, nëse vërejnë çfarëdo rreziku – menjëherë ta raportojnë në numrin falas për thirrje emergjente 112 në QMK.
