Lajme nga vendi
QMK: Në 24 orët e fundit në disa lokacione në shtet janë regjistruar rritje të nivelit të lumenjve, si dhe disa vërshime
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit, në disa lokacione në vend janë regjistruar rritje të niveleve të ujit në lumenj, si dhe disa daljet nga shtrati, objekte të përmbytura dhe rrëshqitje toke.
Rajoni i Manastirit: Dalje e lumit Shemnica te fsh. Lera, me një shtëpi dhe stalla të përmbytura. Në Komunën Novaci është ndërprerë rruga drejt minierës Brod–Gneotino për shkak të ujërave të ngritura nga Lumi i Zi.
Rajoni i Shkupit: Nivelet e lumenjve janë të rritura, por deri tani pa dalje të ujërave nga shtrati.
Rajoni i Velesit: Rrëshqitje toke dhe një pemë e rrëzuar në dy akse rrugore. Lumi Vardar është në nivel shumë të lartë me mundësi të daljes nga shtrati afër stacionit të autobusëve.
Rajoni i Kumanovës: Nuk ka dalje të lumenjve në Kumanovë dhe Likovë; po pastrohen mbetje dhe depozitime te fsh. Koince.
Rajoni i Tetovës: Nuk ka dëme të raportuara; nivelet e lumenjve janë të rritura, por pa dalje nga shtrati.
Sipas informacioneve nga SHMNM, sot pritet mot me vranësira të ndryshueshme dhe reshje lokale të dendura, me mundësi bubullimash dhe erë të fuqishme jugore mbi 60 km/h. Temperaturat do të variojnë nga 13 deri në 19 °C; në rajonin e Shkupit deri në 17 °C. Sasia më e madhe e reshjeve është matur në Pretor (66 l/m²), Krushevë (37), Manastir (30) dhe Prilep (26). Është vërejtur nivel i lartë uji në lumin Sateska në rajonin e Ohrit, me rekomandim për kujdes të shtuar.
Të gjitha institucionet kompetente janë njoftuar me kohë nga Qendra për Menaxhim me Kriza për të gjitha këto dukuri dhe janë ndërmarrë masat përkatëse për sanimin dhe mbrojtjen e popullatës dhe infrastrukturës.
Apelojmë te qytetarët të shmangin lëvizjen pranë shtrateve të lumenjve, urave dhe sipërfaqeve të përmbytura, të ndjekin udhëzimet e shërbimeve kompetente dhe, nëse vërejnë çfarëdo rreziku – menjëherë ta raportojnë në numrin falas për thirrje emergjente 112 në QMK.
Lajme nga vendi
Takim i Ministrit Sali me Ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë, Solstrom
Ministri për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, u takua me Ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Ola Solstrom.
Në takim u riafirmua partneriteti i shkëlqyer ndërmjet dy vendeve dhe mbështetja e vazhdueshme e Suedisë për rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe rëndësia e ruajtjes së momentumit pozitiv në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ministri Sali theksoi se integrimi evropian mbetet një nga prioritetet kyçe të Qeverisë, me fokus në zbatimin e reformave në fushat themelore, veçanërisht shtetin e së drejtës dhe modernizimin e administratës publike.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për procesin e aderimit në BE, zhvillimet e fundit në kuadër të Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si shtyllë e përparimit drejt Tregut të Përbashkët Rajonal dhe integrimit gradual në Tregun e Vetëm të BE-së.
U theksua kontributi i rëndësishëm i Suedisë në Ballkanin Perëndimor përmes bashkëpunimit reformues 2021–2027, me fokus në demokraci, të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës, barazinë gjinore, zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor dhe ekonomik, si dhe ndërtimin e shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse.
Në fund, Ministri Sali falënderoi Ambasadorin Solstrom për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe koordinimin e mëtejmë në kuadër të perspektivës evropiane të vendit.
Lajme nga vendi
Dyzetë inspektorë të rinj do të përfshihen në terren që të kontrollohet kush nuk i respekton ligjet
Inspektorati Shtetëror i Tregut do të përforcohet me 40 inspektorë të rinj, të cilët duhet ta kalojnë periudhën e trajnimit dhe në mes të vitit në mënyrë aktive të përfshihen në terren.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi thotë se në terren nevojiten inspektorë të cilët do ta kryejnë kontrollin mbi të gjitha shoqatat tregtare me qëllim që të konfirmohet se kush nuk i respekton ligjet.
Siç deklaroi sot, në Inspektoratin e Punës për momentin ka 80 inspektorë, ndërsa në Inspektoratin e Tregut – 120.
“Që në kohën kur këto dy inspektorate, me ndryshimet në ligj, humbën të drejtën për të qenë person juridik dhe u bënë pjesë e Ministrisë së Ekonomisë, unë e informova Qeverinë me kërkesë që të ketë më shumë inspektorë, veçanërisht në Inspektoratin e Tregut, sepse ata mbulojnë të gjithë tregun e brendshëm. Duhet të ketë më shumë inspektorë në këtë Inspektorat në mënyrë që ata të mund ta kryejnë punën e tyre me llogaridhënie dhe që të kemi kontroll më të madh mbi të gjithë tregun e brendshëm dhe mbi të gjithë ata që nuk i respektojnë ligjet”, deklaroi sot Durmishi, i cili mori pjesë në prezantimin e strategjisë kombëtare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme 2025 – 2030.
Lajme nga vendi
SPB Tetovë me një sërë masash dhe veprimesh në kushte dimërore për rrjedhën e papenguar të qarkullimit në Mavrovë dhe në Kodrën e Diellit
Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë po vepron në përputhje me planin vjetor për veprim në kushte dimërore në qendrat rekreative dimërore Mavrovë dhe Kodra e Diellit, por edhe në të gjithë zonën që mbulon.
Sipas SPB tetovë, si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit në zonat e Mavrovës dhe Kodrës së Diellit vihet në përdorim rrethrrotullimi i lëvizjes së automjeteve me qëllim që të shmanget çdo lloj bllokimi i rrugës. Por, për shkak të disa shoferëve të papërgjegjshëm që nuk e respektojnë këtë rregull, vjen deri te bllokmi i plotë i qarkullimit. Gjithashtu, paraqet problem parkimi i automjeteve pranë rrugës, me çka pamundësohet nga institucionet kompetente pastrimi i plotë i rrugës dhe në ç’mënyrë edhe më tepër vështirësohet qarkullimi rrugor, gjegjësisht në disa segmente rrugore për në Mavrovë nuk ka mundësi për komunikacion dy-drejtimësh.
“Që të mos përsëriten situatat e viteve të kaluara në Mavrovë dhe në Kodrën e Diellit kur SPB Tetovë angazhoi forca shtesë të nëpunësve policorë nga njësitë e tjera policore për rregullimin fizik me lirimin alternativ të automjeteve dhe lirimin e qarkullimit, SPB Tetovë u bën thirrje qytetarëve, që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit, të mos i parkojnë automjetet e tyre në rrugë, t’i respektojnë urdhrat e nëpunësve policorë dhe të mos nisen në drejtim të këtyre lokaliteteve pa pajisje adekuate dimërore. Vetëm në këtë mënyrë të gjithë së bashku do të kontribuojmë për një siguri më të madhe në komunikacion. SPB Tetovë i njofton qytetarët se do të angazhohet edhe shërbimet ‘merimangë’ në Tetovë dhe në Gostivar çdo herë kur një automjet do të pengojë qarkullimin, përkatësisht do të tërhiqet dhe do të sanksionohet ligjërisht”, thuhet në kumtesën e SPB Tetovë.
Prej aty informojnmë se para fillimit të sezonit, Seksioni i Parandalimit pranë SPB Tetovë mbajti disa takime me menaxherët dhe pronarët e hoteleve dhe objekteve gastronomike në këto dy lokalitete turistike, me ç’rast u tha që të marrin masa adekuate brenda fushëveprimit të tyre të punës për sigurinë e vizitorëve, por edhe lidhur me sigurimin e numrit të mjaftueshëm të vendparkimeve për klientët e tyre.

