Grupi i punës i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Delegacionit të BE-së, UNICEF-it, Bankës Botërore, GIZ-it, UNDP-së, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Qendrës për Zhvillimin e Arsimit Profesional, Qendrës Shtetërore të Provimeve, Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe sektorit civil hartoi Strategji të re për arsimin, e cila do të zbatohet nga viti 2026 deri në vitin 2032. Para se të miratohet nga Qeveria, do të vihet në shqyrtim publik përmes sistemit qeveritar ENER, me qëllim që të ofrohet mundësi për komente dhe sugjerime në drejtim të avancimit të përmbajtjes.
Për këtë sot informoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, para fillimit të punëtorisë së për Strategjinë, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që dhanë kontribut në përgatitjen e saj gjatë gjashtë muajve të kaluar.
Dokumenti thekson zhvillimin e programit të ri për arsimin parashkollor, gjithëpërfshirjen në arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe infrastrukturën, ku moment kyç është optimizimi i rrjetit shkollor dhe implementimi i punës me një turn. Janevska informoi se do të ndiqet zbatimi i konceptit të ri për arsimin e mesëm-gjimnaz dhe për arsimin profesional, si dhe model të ri për maturën shtetërore. Në vitin 2026 fillon zbatimi i formulave të reja për financimin e arsimit fillor dhe të mesëm. Do të miratohet legjislacion i ri në arsimin e lartë, dhe veçanërisht do t’i kushtohet vëmendje për zhvillimin e kapaciteteve kadrovike të MASH-it.
Ministrja konfirmoi se opinioni gjerë do të ketë mundësinë të kontribuojë në krijimin e versionit më të mirë të dokumentit strategjik, së bashku me planet e shoqëruara të veprimit, pasi ai nga nesër do të publikohet në sistemin ENER të Qeverisë dhe do të jetë i disponueshëm për komente, sugjerime, vërejtje, para miratimit përfundimtar.
