Pas disa seancave të anuluara, në Gjykatën Penale të Shkupit filloi rigjykimi për rastin “Besa Trans”, pasi Apeli para një viti e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë ku pronari i kompanisë transportuese Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burg. Haxhiu, i cili tanimë tre vite qëndron në bankën e të akuzuarit, para gjykatësit sërish deklaroi se nuk ndihet fajtor për veprën penale që i ngarkohet, respektivisht se ka falsifikuar certifikatën e licencës së autobusit i më 23 nëntor të vitit 2021 u dogj në Struma të Bullgarisë dhe si pasojë, humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë u lënduan. I pafajshëm u deklarua edhe përfaqësuesi i personit juridik “Besa Trans”, Arif Kovaçi.
Me rifillimin e gjykimit për lëndën që nuk ka të bëjë me aksidentin, por vetëm me licencën, është ndërruar edhe prokurori. Akuzën në rigjykim do ta përfaqësojë Zoran Zdravev, pasi që Vlladimir Milloshevski është avancuar në pozitën e prokurorit të lartë.
Në seancën e sotme, ishin të pranishëm përfaqësuesit e Ministrisë së Transportit, resorit kompetent i cili jep certifikatat e licencave për transportuesit. Draganço Jovev i punësuar në këtë ministri, tha se mbetet në deklarimin që e ka dhënë gjatë gjykimit të parë, respektivisht se kompania “Besa Trans” ka pasur licencë për transport ndërkombëtar për pesë autobusë, por nuk ka pasur licencë për autobusin e djegur.
Në seancën e radhës, të caktuar për më 19 dhjetor, pritet të dëshmojë përfaqësuesi i Doganës, të cilën gjykatësi Ivica Stefanovski, e cilësoi si “çelës” të lëndës.
Sipas akuzës, prej 10 janarit të vitit 2021 e deri në ditën e aksidentit, autobusi ka kaluar kufirin me certifikatë licence të falsifikuar 20 herë. Për këtë, sipas Prokurorisë është fajtor pronari i kompanisë Bekim Haxhiu, i cili nëpërmjet shoferëve të ndryshëm, ka mundësuar që autobusi të udhëtojë në relacione të ndryshme. Mbrojtja ka mohuar në vazhdimësi se ka bërë falsifikim të certifikatës së licencës, ndërsa insistojnë në formulimin se për të pasur falsifikim, duhet që dikush të krijojë një dokument të rrejshëm, që sipas tyre në këtë rast, nuk ka ndodhur.
Tragjedia e Bullgarisë, mbetet ndër më të rëndat në historinë e vendit, ndërsa familjarët, por edhe opinioni vazhdimisht kanë kërkuar përgjegjësi. Bullgaria hapi hetim për arsyet e aksidentit, megjithatë i mbylli pasi sipas tyre fajtor ka qenë shoferi që ka humbur jetën në aksident, sepse ka lëvizur mbi shpejtësinë e lejuar, në kushte të papërshtatshme të rrugës.Gazetar: Suad Bajrami
