Site icon Tetova Expres

Gashi, Kasami, Mexhiti, Ahmeti dhe Thaçi urojnë Ditën e Flamurit

Kryeparlamentari Afrim Gashi ka uruar gjithë shqiptarët 28 Nëntorin Ditën e Flamurit.

“Urime 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit!

Kjo ditë pasqyron rrugëtimin historik të shqiptarëve dhe sakrificat ndërshekullore që kanë ndërtuar identitetin dhe dinjitetin tonë kolektiv. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, 28 Nëntori është simbol i unitetit, i rezistencës dhe i vlerave që na kanë mbajtur të fortë dhe të bashkuar.

Si Kryetar i Kuvendit të Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe të barazisë së shqiptarëve si popull shtetformues, duke punuar njëkohësisht për forcimin e bashkëjetesës me të gjitha popujt. Vëllazëria, respekti dhe uniteti janë shtyllat që na mbajnë stoik dhe faktor në vendin tonë.

Ta shfrytëzojmë këtë ditë si një moment për të nderuar veprën e paraardhësve, për të reflektuar mbi përparimin që kemi arritur dhe për të frymëzuar brezat që vijnë të ruajnë, forcojnë dhe kultivojnë idealin e kombit. Gëzuar 28 Nëntorin!”, ka shkruar Gashi.

Advertisement

Gëzuar 28 Nentorin! Kjo është dita që na rikthen te rrënjët, te sakrifica dhe te krenaria kombëtare. Le ta nderojmë këtë festë duke qëndruar të bashkuar dhe duke punuar me përkushtim për zhvillimin dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo. Urime të gjithë shqiptarëve, shkruan Mexhiti.

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka uruar qytetarët me rastin e Festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, duke rikujtuar rëndësinë historike të shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 dhe sakrificat e brezave që kontribuuan në ndërtimin e shtetit shqiptar.

Në urimin e tij, Kasami theksoi se kjo ditë simbolizon ëndrrën e madhe të shumë gjeneratave, të cilët me guxim dhe vizion vendosën themelet e kombit. Ai theksoi se detyra e sotme e institucioneve dhe qytetarëve është të ruajnë dhe të përçojnë këto vlera përmes punës së ndershme, përkushtimit dhe përgjegjësisë ndaj vendit.

“Duke nderuar historinë, le ta marrim atë si udhërrëfyes për të realizuar ëndrrat e kësaj gjenerate dhe të atyre që vijnë,” u shpreh Kasami, duke uruar të gjithë qytetarët:

“Gëzuar Ditën e Flamurit!

Advertisement

Në urimin e tij me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë – lideri i BDI Ali Ahmeti ka përcjellë mesazhe uniteti, përkushtimi kombëtar dhe orientimi drejt integrimit evropian.

Ahmeti theksoi se shqiptarët kudo që ndodhen kanë detyrim moral e kombëtar të kontribuojnë me vepra dhe përkushtim për të ardhmen e përbashkët. Ai rikujtoi se qëllimi strategjik është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, si dhe forcimi i partneritetit me SHBA-në dhe BE-në për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Ahmeti u ndal edhe te barazia në Maqedoninë e Veriut, integrimi evropian i vendit, si dhe kujdesi i vazhdueshëm për shqiptarët në Luginë të Preshevës, Mal të Zi dhe diasporë.

“Shqiptarë të mi të dashur, Shqipërisë i qofshim falë. Gëzuar Ditën e Flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë, e përjetshme qoftë Shqipëria. Rroftë kombi ynë, rroftë Shqipëria, lavdi dëshmorëve të kombit!”, përfundoi Ahmeti në urimin e tij.

Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z.Menduh Thaçi uroi të gjithë shqiptarët, në vijim urimi i plotë.

Advertisement

“Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, përcjell urimet e mia për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Kjo ditë na bashkon rreth flamurit tonë kombëtar dhe na kujton sakrificat e brezave që luftuan për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar në të gjitha trojet shqiptare.

Si PDSH, mbetemi të përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për përfaqësim të denjë politik dhe për zhvillim ekonomik e arsimor të vendbanimeve tona. Le ta shfrytëzojmë 28 Nëntorin si motivim për më shumë unitet, përgjegjësi dhe punë në të mirë të popullit tonë.

Urime 28 Nëntori – Dita e Flamurit! ”, ka shkruar kryetari Thaçi në rrjetet sociale.

Exit mobile version