Lajme nga vendi
Gashi, Kasami, Mexhiti, Ahmeti dhe Thaçi urojnë Ditën e Flamurit
Kryeparlamentari Afrim Gashi ka uruar gjithë shqiptarët 28 Nëntorin Ditën e Flamurit.
“Urime 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit!
Kjo ditë pasqyron rrugëtimin historik të shqiptarëve dhe sakrificat ndërshekullore që kanë ndërtuar identitetin dhe dinjitetin tonë kolektiv. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, 28 Nëntori është simbol i unitetit, i rezistencës dhe i vlerave që na kanë mbajtur të fortë dhe të bashkuar.
Si Kryetar i Kuvendit të Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe të barazisë së shqiptarëve si popull shtetformues, duke punuar njëkohësisht për forcimin e bashkëjetesës me të gjitha popujt. Vëllazëria, respekti dhe uniteti janë shtyllat që na mbajnë stoik dhe faktor në vendin tonë.
Ta shfrytëzojmë këtë ditë si një moment për të nderuar veprën e paraardhësve, për të reflektuar mbi përparimin që kemi arritur dhe për të frymëzuar brezat që vijnë të ruajnë, forcojnë dhe kultivojnë idealin e kombit. Gëzuar 28 Nëntorin!”, ka shkruar Gashi.
Gëzuar 28 Nentorin! Kjo është dita që na rikthen te rrënjët, te sakrifica dhe te krenaria kombëtare. Le ta nderojmë këtë festë duke qëndruar të bashkuar dhe duke punuar me përkushtim për zhvillimin dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo. Urime të gjithë shqiptarëve, shkruan Mexhiti.
Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka uruar qytetarët me rastin e Festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, duke rikujtuar rëndësinë historike të shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 dhe sakrificat e brezave që kontribuuan në ndërtimin e shtetit shqiptar.
Në urimin e tij, Kasami theksoi se kjo ditë simbolizon ëndrrën e madhe të shumë gjeneratave, të cilët me guxim dhe vizion vendosën themelet e kombit. Ai theksoi se detyra e sotme e institucioneve dhe qytetarëve është të ruajnë dhe të përçojnë këto vlera përmes punës së ndershme, përkushtimit dhe përgjegjësisë ndaj vendit.
“Duke nderuar historinë, le ta marrim atë si udhërrëfyes për të realizuar ëndrrat e kësaj gjenerate dhe të atyre që vijnë,” u shpreh Kasami, duke uruar të gjithë qytetarët:
“Gëzuar Ditën e Flamurit!
Në urimin e tij me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë – lideri i BDI Ali Ahmeti ka përcjellë mesazhe uniteti, përkushtimi kombëtar dhe orientimi drejt integrimit evropian.
Ahmeti theksoi se shqiptarët kudo që ndodhen kanë detyrim moral e kombëtar të kontribuojnë me vepra dhe përkushtim për të ardhmen e përbashkët. Ai rikujtoi se qëllimi strategjik është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, si dhe forcimi i partneritetit me SHBA-në dhe BE-në për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, Ahmeti u ndal edhe te barazia në Maqedoninë e Veriut, integrimi evropian i vendit, si dhe kujdesi i vazhdueshëm për shqiptarët në Luginë të Preshevës, Mal të Zi dhe diasporë.
“Shqiptarë të mi të dashur, Shqipërisë i qofshim falë. Gëzuar Ditën e Flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë, e përjetshme qoftë Shqipëria. Rroftë kombi ynë, rroftë Shqipëria, lavdi dëshmorëve të kombit!”, përfundoi Ahmeti në urimin e tij.
Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z.Menduh Thaçi uroi të gjithë shqiptarët, në vijim urimi i plotë.
“Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, përcjell urimet e mia për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Kjo ditë na bashkon rreth flamurit tonë kombëtar dhe na kujton sakrificat e brezave që luftuan për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar në të gjitha trojet shqiptare.
Si PDSH, mbetemi të përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për përfaqësim të denjë politik dhe për zhvillim ekonomik e arsimor të vendbanimeve tona. Le ta shfrytëzojmë 28 Nëntorin si motivim për më shumë unitet, përgjegjësi dhe punë në të mirë të popullit tonë.
Urime 28 Nëntori – Dita e Flamurit! ”, ka shkruar kryetari Thaçi në rrjetet sociale.
Lajme nga vendi
58-vjeçari gjendet i vdekur në një hotel në Mavrovë
MPB njofton më datë 27.01.2026 në orën 10:55, në DPB Gostivar është denoncuar se ka një person të vdekur në një hotel në Mavrovë. Ekipi i këqyrjes në prani të prokurorit publik ka kryer këqyrjen në ambientet ndihmëse të hotelit, ku në një nga dhomat e personelit është gjetur i vdekur V.L. (58) nga Ohri. Nga ana e mjekut është konstatuar vdekja pa gjurmë dhune, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi është dorëzuar për obduksion.
Lajme nga vendi
“Keqpërdorimi i fotove intime” bëhet vepër penale
Ndryshimet në Kodin Penal, korrigjojnë një padrejtësi të rëndë të kryer nga qeveria e LSDM-së…
Mile Lefkov, deputet i VMRO-DPMNE-së, theksoi se ndryshimet në Kodin Penal nga shtatori 2023, të miratuara nga qeveria e mëparshme, zbutën dënimet për korrupsionin, fshinë dispozitat kryesore për abuzimet në prokurimin publik dhe krijuan kushte për parashkrimin e rasteve të profilit të lartë.
Sot, Parlamenti miratoi Ligjin për Ndryshimet në Kodin Penal, të propozuar nga një grup deputetësh të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, me 76 vota “pro”.
– Ky ligj korrigjon një padrejtësi të rëndë të kryer me ndryshimet në Kodin Penal të shtatorit 2023, të miratuara nga qeveria e mëparshme, të cilat zbutën dënimet për korrupsionin, fshinë dispozitat kryesore për abuzimet në prokurimin publik dhe krijuan kushte për vjetërsimin e lëndëve të profilit të lartë – tha Mile Lefkov, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Lajme nga vendi
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria përparojnë bashkëpunimin kufitar
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, ishte nikoqir i homologes shqiptare, Albana Koçiu, me të cilën biseduan dhe sollën disa vendime të rëndësishme për të mirën e të dyja vendeve, thanë ministrat në fjalë. Sipas Toshkovskit dhe Koçiut, këto marrëveshje kanë të bëjnë me drejtim të lehtësimit të qarkullimit sa më të shpejtë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit.
“Një nga vendimet më të rëndësishme ka qenë që sezonin para veror të fillojmë ta implementojmë sistemin “One Stop Shop” edhe me Republikën e Shqipërisë, ku ekipet tona janë duke punuar intensivisht, me çka do të mundësohet qarkullimi sa më i shpejtë i njerëzve. Vendimi i dytë ka të bëjë me çështjen e Qendrës për përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar për ta avancuar, me ç’rast bashkëpunimi operativ mes të dyja vendet do të rritet edhe më shumë. Po ashtu biseduam edhe për mundësinë që pika kufitare Xhepishtë-Trebishtë afër Dibrës, të largohen barrierat e funksionit që ishin gjatë kohës së dimrit, të funksionojnë deri në ora 16:00, ndërsa gjatë verës deri në ora 20:00, të jetë funksional 24 orë.”, – deklaroi Pançe Toshkovski nga MPB.
Sipas Koçiut, ky takim vjen në vazhdën e një bashkëpunimi shumë të mirë mes të dyja vendeve dhe për të dhënë një mesazh të qartë për vullnetin tonë të përbashkët, sipas ministres shqiptare Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë së Veriut janë partnere strategjike dhe miqësi të vazhdueshme.
“Dy vende të cilat ndajnë një hapësirë të përbashkët të lidhura shumë më shumë në ngjashmëri, sesa në dallime, si dhe dy vende kandidate për Bashkimin Evropian, prandaj kjo hapësirë që ne ndajmë sot, do të jetë një hapësirë evropiane ku mallrat, kapitali dhe njerëzit do të lëvizin pa kufizime. Për këtë arsye, lehtësimi i procedurave për qytetarët, por edhe për biznesin, është jo vetëm diçka e zgjuar, por është diçka edhe shumë praktike të cilën e bëjmë në funksion të së ardhmes sonë të përbashkët.”, – theksoi ministrja e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu.
Sipas ministres shqiptare, një bashkëpunim i tillë dhe një Qendër e tillë e koordinuar do të krijojë mundësi akoma më të mëdha për të shkurtuar edhe më shumë burokracitë, për të shkurtuar kohën e kalimit në pikat kufitare, por njëkohësisht do të nxisë edhe më shumë shkëmbimin mes të dyja palëve. Ministrja Koçiu theksoi se gjatë vitit të kaluar ka pasur rreth 5 milionë kalime të njerëzve, si dhe 1.8 milion automjete, me çka tregon se Shqipëria, por edhe Liqeni i Ohrit në Maqedoni ende mbeten të pa eksploruar plotësisht.

