Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) do ta ketë një udhëheqje të re, por me kryetarin e njëjtë: Venko Filipçe. Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Unitet Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do t’iu japin nga një mandat tjetër Hristijan Mickoskit dhe Ali Ahmetit, përkatësisht, ndërsa koalicioni shqiptar VLEN paralajmëroi shkrirjen në një parti të vetme.
Këto ndryshime pas disfatave në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut janë të kuptueshme për opozitën, vlerësojnë disa analistë. Por, a janë të mjaftueshme?
Nga freskime me anëtarë e deri te strategjitë e reja dhe bashkimet formale – këto janë disa nga ndryshimet që tashmë po ndodhin ose do të pasojnë në partitë më të mëdha në skenën politike pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut më 19 tetor dhe 2 nëntor.
Megjithatë, këto parti po i mbajnë udhëheqësit e vjetër, përfshirë disa që po ua vazhdojnë mandatet atyre.
Sipas disa analistëve, ndryshimet në kuadro në radhët e opozitës janë të pritshme dhe të kuptueshme.
Në LSDM, e gjithë udhëheqja e ngushtë – Komiteti Ekzekutiv, me propozim të liderit Venko Filipçe, dha dorëheqje më 2 dhjetor, ndërsa partia paralajmëroi “energji të re” pasi në zgjedhje fitoi vetëm gjashtë komuna dhe nuk e përmirësoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, kur mori 152.000 vota.
“Ajo që është më e rëndësishmja është të shihet se kush do t’i zëvendësojë, sepse tani duhet të jenë njerëz të njohur për publikun dhe që do të mund, para së gjithash, ta rikthejnë një pjesë të trupit votues. Pastaj, mund të flitet për rikthimin e besimit, i cili qartazi është në nivelin më të ulët në 30 vjetët e fundit”, thotë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) Vladimir Bozhinovski nga Instituti për Hulumtime Politike.
Sekretari i përgjithshëm i deritanishëm, Aleksandar Sasho Dimitrievski, një nga ata që dhanë dorëheqje, thotë se e kanë bërë këtë, në radhë të parë, si akt moral para kryetarit Filipçe dhe para anëtarëve të Komitetit Qendror, për shkak të rezultateve të zgjedhjeve lokale.
“Ne përfundimisht u pajtuam që para mbledhjes së ardhshme të Komitetit Qendror t’ua lëmë anëtarëve të KK-së, përmes diskutimit, të vendosin për freskimin e kuadrove të partisë, si dhe se kush nga udhëheqja e tanishme duhet përfundimisht të vazhdojë në organet më të larta të LSDM-së. Si unë, ashtu edhe çdo koleg në Komitetin Ekzekutiv kemi qenë dhe do të mbetemi plotësisht të përkushtuar për ta ngritur sërish partinë”, thotë Dimitrievski për REL.
Ndërkohë, BDI-ja opozitare ka paralajmëruar Kongres për 20 dhjetor, por ende nuk duan të parashikojnë se çfarë do të ndodhë. Megjithatë, një gjë është e sigurt.
“Në Kongres padyshim se do të rizgjidhet Ali Ahmeti si kryetar i partisë, si dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm. Këto dy organe do të dalin nga Kongresi dhe më pas në Këshillin e Përgjithshëm do të zgjidhet Kryesia Qendrore”, thotë për REL zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi.
A janë të mundshme reformat pa përgjegjësi nga udhëheqësi?
Disa analistë shtrojnë pyetjen nëse janë të mundshme reforma pa dhënë përgjegjësi udhëheqësi kryesor.
Sipas analistit dhe kryetarit të Institutit Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRS), Xhelal Neziri, me përgjegjësinë e liderit “nisin ndryshimet e vërteta” në parti.
Ajo që po ndodh në LSDM dhe BDI, sipas tij, duket më shumë si “kontrollim i dëmit” pas rezultateve të dobëta zgjedhore, sesa reforma të mirëfillta.
Megjithatë, sa u përket socialdemokratëve, ai kujton se Filipçe e mori drejtimin para një viti kur partia ra nga pushteti, ose siç thotë ai kur “partia u çmontua dhe ai pati pak kohë ta konsolidonte”.
“Ai ka shanse ta ngrejë partinë vetëm nëse promovon njerëz që realisht besojnë në socialdemokracinë si koncept dhe ideologji, nëse arrin ta bashkojë të majtën e fragmentuar në vend dhe nëse lidh një koalicion ideologjik me BDI-në, qoftë ai zyrtar apo joformal. Pa këto tri kushte, Filipçe pa dashje do të vazhdojë të jetë garanci për fitoret e Hristijan Mickoskit, duke e mbajtur opozitën në agoni”, thotë Neziri për REL-in.
Dorëheqja e të gjithë Komitetit Ekzekutiv të LSDM-së nënkuptoi largimin e nënkryetares, nënkryetarëve, sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarëve organizativë.
Pasuesit e tyre duhet të zgjidhen nga Komiteti Qendror, i cili ka rreth 130 anëtarë. Ky trup pritet të mblidhet deri në fund të dhjetorit dhe të zgjedhë nga 10 deri në 18 persona që do të jenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv.
Ndërkohë, nënkryetari i partisë zgjidhet vetëm në Kongres. Ende nuk ka datë të caktuar për kongresin e LSDM-së. Vendimin për ta thirrur atë e merr Komiteti Qendror.
Ndryshe nga LSDM-ja, BDI-ja duhet të reformohet edhe konceptualisht me definimin e një matrice të qartë ideologjike që do të mobilizojë anëtarësinë, vlerëson analisti Neziri.
“Vitet e fundit kjo parti më shumë ngjante me një grup biznesi i përbërë nga politikanë-biznesmenë që ishin të gatshëm për gjithçka vetëm për të qenë pjesë e pushtetit ekzekutiv. Nëse ky koncept nuk ndryshon, BDI-ja nuk do të mund të funksionojë si parti opozitare, sepse të gjitha ato struktura të lidhura me interesa konkrete do të kalojnë drejt partive në pushtet”, thotë ai.
Mickoski shkon drejt mandatit të fundit në krye të VMRO-DPMNE-së
Ndërsa ndryshimet në opozitë janë të pritshme pas zgjedhjeve, për partinë në pushtet, VMRO-DPMNE, e cila fitoi 55 nga 81 komunat në vend, ndryshimet nuk janë të domosdoshme, theksojnë disa bashkëbisedues.
Bozhinovski thekson se kur dikush i fiton zgjedhjet që janë mbajtur para më pak se dy muajsh, vështirë se mund t’i ushtrohet trysni për ndonjë ndryshim.
“Nëse do të ketë apo jo ndryshime, mendoj se varet nga perceptimi i rezultatit – nëse të gjithë kanë dorëzuar atë që pritej apo jo”, thekson Bozhinovski.
VMRO-DPMNE-ja duhet të mbajë Kongresin në Kavadar më 6 dhjetor. Në të pritet rizgjedhja e Hristijan Mickoskit për mandatin e tretë si lider i partisë. Sipas statutit partiak, ky është maksimumi, dhe Mickoski në intervistën për emisionin “360 gradë” tha se nuk do të kërkojë ndryshime statutore, duke konfirmuar se ky do të jetë mandati i tij i fundit si kryetar.
“Në Kongres pritet rizgjedhja e kryetarit të partisë, miratimi i raportit për zgjedhjet e suksesshme dhe miratimi i strategjisë dhe parimeve programore për veprim në katër vjetët e ardhshme”, thotë për REL-in, deputeti dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Antonio Milloshoski.
Ndryshime të mundshme në disa pozita të nënkryetarëve, siç është spekuluar kohët e fundit, nuk priten nga Kongresi i së shtunës. Këto pozita, sipas statutit, nuk zgjidhen në Kongres, por caktohen nga Komiteti Qendror.
VLEN – parti e vetme deri në mes të janarit?
Një Kongres pritet së shpejti edhe në VLEN, partnerin qeverisës të VMRO-DPMNE-së.
VLEN funksionon si një koalicion i përbërë nga disa parti – Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, BESA e Bilall Kasamit, Alternativa e drejtuar nga Zeqirija Ibrahimi, si dhe një pjesë e krahut të Aleancës për Shqiptarët.
Ata prej kohësh paralajmërojnë shkrirje në një parti të vetme, dhe, sipas paralajmërimeve, kjo pritet të ndodhë brenda një muaji e gjysmë.
“Ne po punojmë që deri në fund të dhjetorit ose deri në mes të janarit të kemi një Kongres në të cilin do të vendoset formimi i një partie të përbashkët nën emrin VLEN”, thotë Ibrahimi për REL.
Ende nuk është përcaktuar si do të funksionojnë si parti – me një ose dy liderë, apo ndryshe. Ata thonë se po punojnë që deri në Kongresin themelues të kenë një model që do të përfaqësojë “një zgjidhje elegante” ku të gjithë partnerët të jenë të barabartë.
VLEN në zgjedhjet lokale mori rreth 20.000 vota më pak për këshillat komunalë krahasuar me koalicionin e drejtuar nga BDI-ja, por fitoi në komunat më të mëdha me shumicë shqiptare. BDI-ja fitoi vetëm katër komuna, ndërsa VLEN fitoi 10, duke përfshirë Çairin e Shkupit, Tetovën dhe Strugën./evropaelire.org/
