Site icon Tetova Expres

Rritja e popullsisë është interes i përbashkët jo garë etnike!

Të dhënat më të fundit demografike në Maqedoninë e Veriut po hapin një debat të ndjeshëm, por të domosdoshëm rënia e përgjithshme e popullsisë dhe dallimet e theksuara mes komuniteteve etnike. Në një shtet që përballet me eksod masiv, plakje të popullsisë dhe bilanc natyror negativ, çdo rritje e popullsisë duhet parë si vlerë shoqërore dhe ekonomike pa u ndikuar përmes prizmit etnik. Sepse, ky debat u shndërrua dhe mori jehonë më shumë përshkak të rritjes së popullsisë shqiptare. Pavarësisht rritjes së popullsisë shqiptare është e domosdoshme të merren masa shtesë për stimulimin e shtimit të popullsisë në tërësi, shkruan Zhurnal.

Rritet numri i shqiptarëve, ulet ai i maqedonasve – 

Statistikat e publikuara nga ESSH flasin qartë, në nivel shtetëror me 16.061 lindje dhe 20.201 vdekje, vendi regjistron një shtim natyror negativ. Megjithatë, ndarja sipas përkatësisë etnike tregon dy realitete të ndryshme popullsia shqiptare mban një bilanc pozitiv prej +2.164 banorësh, ndërsa ajo maqedonase përballet me një rënie shqetësuese prej –7.919. Këto shifra nuk janë triumf për njërën palë dhe humbje për tjetrën, por alarm për shtetin në tërësi që duhet të merren masa adekuate.

Te maqedonasit, raporti prej 216 vdekjesh për çdo 100 lindje është tregues i qartë i plakjes së thellë demografike dhe i rënies së vazhdueshme të lindshmërisë. Në anën tjetër, shqiptarët ruajnë një strukturë më të re demografike, ku për çdo 100 lindje ka rreth 60 vdekje, duke mbajtur bilanc pozitiv edhe përkundër emigrimit. Kjo diferencë pasqyrohet edhe në nivel lokal, ku komunat me shumicë shqiptare si Çairi, Saraji dhe Studeniçani shënojnë rritje, ndërsa shumë komuna të tjera përballen me tkurrje të vazhdueshme.

Ndryshimet demografike nuk janë thjesht çështje statistikore. Ato kanë pasoja direkte në sistemin arsimor, tregun e punës, fondin pensional dhe balancat ekonomike e politike të vendit. Një shoqëri që plaket shpejt dhe nuk ripërtërihet përmes lindjeve apo kthimit të emigrantëve, rrezikon stagnim afatgjatë.

Advertisement

Në këtë kontekst, politikat stimuluese si pagesat për fëmijën e tretë dhe të katërt, kanë treguar se nuk mjaftojnë. Problemi nuk është vetëm numri i fëmijëve, por kushtet për t’i rritur ata. Të dhënat e varfërisë e konfirmojnë këtë paradoks familjet me tre ose më shumë fëmijë janë më të varfrat në vend, me shkallë varfërie që në vitin 2024 ka arritur në 54.8 për qind. Kjo tregon se nxitja e lindjeve pa mbështetje reale ekonomike mund të thellojë problemet sociale, në vend që t’i zgjidhë ato.

Deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski për politika pro-life, kthim taksash për nënat dhe lehtësime për banesa për çiftet e reja tregojnë një orientim të ri, por ende të paprovuar në praktikë. Ndërkohë, ide të tilla si taksa për beqarët, edhe kur hidhen si “test i opinionit publik”, tregojnë mungesë ndjeshmërie ndaj realitetit social të të rinjve, të cilët martohen më vonë jo nga dëshira, por nga pasiguria ekonomike.

Kujtojmë që, rritja e popullsisë duhet të shihet si interes i përbashkët shtetëror, e jo si garë etnike. Çdo fëmijë i lindur, pavarësisht përkatësisë, është investim për të ardhmen e vendit. Politikat publike duhet të fokusohen te mirëqenia, siguria ekonomike dhe cilësia e jetës së familjeve të reja, sepse vetëm kështu demografia mund të kthehet nga problem në potencial zhvillimi. Në të kundërt, shifrat do të vazhdojnë të flasin ndërsa politika do të mbetet prapa realitetit. /Zhurnal.mk

Exit mobile version