Site icon Tetova Expres

Arrestohen dhjetë persona në Greqi! Instaluan softuer në pika karburanti që tregonte më shumë karburant sesa mbushej nëpër automjete

Nga mëngjesi i sotëm, në Greqi po zhvillohet një aksion policor në më shumë rajone të vendit për shkatërrimin e një organizate kriminale që kishte instaluar një softuer të veçantë në pikat e karburantit për të dhënë sasi më të vogla karburanti se ato të shfaqura.

Policia greke njoftoi se deri tani janë arrestuar dhjetë persona, ndërsa aksioni po zhvillohet në rajonin e Atikës (përreth Athinës), në Selanik, Tesali, si dhe në Greqinë qendrore, veriore dhe verilindore.

“Anëtarët e organizatës, me softuer të paligjshëm të instaluar në pikat e karburantit, mashtronin qytetarët duke u dhënë sasi më të vogla karburanti se ato të shfaqura”, informoi policia.

Aksione të ngjashme për zbulimin e organizatave kriminale që, përmes softuerit të veçantë, në thelb “vidhnin” karburant nga qytetarët, janë zhvilluar edhe gjatë vitit të kaluar.

Në mars u arrestuan mbi 55 persona, anëtarë të dy organizatave kriminale, dhe u zbulua se softueri ishte instaluar në mbi 50 pika karburanti në gjithë Greqinë, ndërsa dy muaj më vonë u mbyllën pesë pika karburanti në Selanik dhe Athinë.

Advertisement
Exit mobile version