Lajme nga rajoni
Arrestohen dhjetë persona në Greqi! Instaluan softuer në pika karburanti që tregonte më shumë karburant sesa mbushej nëpër automjete
Nga mëngjesi i sotëm, në Greqi po zhvillohet një aksion policor në më shumë rajone të vendit për shkatërrimin e një organizate kriminale që kishte instaluar një softuer të veçantë në pikat e karburantit për të dhënë sasi më të vogla karburanti se ato të shfaqura.
Policia greke njoftoi se deri tani janë arrestuar dhjetë persona, ndërsa aksioni po zhvillohet në rajonin e Atikës (përreth Athinës), në Selanik, Tesali, si dhe në Greqinë qendrore, veriore dhe verilindore.
“Anëtarët e organizatës, me softuer të paligjshëm të instaluar në pikat e karburantit, mashtronin qytetarët duke u dhënë sasi më të vogla karburanti se ato të shfaqura”, informoi policia.
Aksione të ngjashme për zbulimin e organizatave kriminale që, përmes softuerit të veçantë, në thelb “vidhnin” karburant nga qytetarët, janë zhvilluar edhe gjatë vitit të kaluar.
Në mars u arrestuan mbi 55 persona, anëtarë të dy organizatave kriminale, dhe u zbulua se softueri ishte instaluar në mbi 50 pika karburanti në gjithë Greqinë, ndërsa dy muaj më vonë u mbyllën pesë pika karburanti në Selanik dhe Athinë.
Lajme nga rajoni
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 53 ulëse të siguruara në Kuvendin e Kosovës
KQZ në përditësimin e fundit, ka bërë të ditur se janë numëruar 94,62% e votave me postë.
Nga rezultatet shihet qartë një diferencë e thellë në rezultat mes partive politike, përcjell “Bota sot”.
Lëvizja Vetëvendosje – 72,99%
Lidhja Demokratike e Kosovës – 12,12%
Partia Demokratike e Kosovës – 8,04%
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 4.19%
Sipas këtij rezultati, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 53 ulëse të siguruara në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e ka humbur një ulëse.
LDK kishte më herët 19 deputetë, ndërsa tani ka 18. Partia Demokratike ka ruajtur 22 ulëset të cilat i kishte më parë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 7 ulëse.(INA)
Lajme nga rajoni
LVV nënshkruan koalicionin parazgjedhor me tri parti
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Partia Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor, duke e cilësuar atë si vazhdim të një rruge të përbashkët politike dhe angazhim të qartë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Sipas Partisë Guxo, ky koalicion nuk paraqet një bashkim të përkohshëm, por një qëndrim politik të vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi.
“Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook, transmeton INA.
Në reagim thuhet se lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë vetëm premtime politike, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.
Po ashtu, partitë vlerësojnë se ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike, me synim një Republikë më të fortë brenda vendit dhe më të sigurt në arenën ndërkombëtare, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe partneritete strategjike të konsoliduara.
“Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Lajme nga rajoni
KQZ ka bërë të ditur se AKR dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit zyrtar më 7 maj në orën 24:00, këto dy subjekte politike kanë njoftuar zyrtarisht mospjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
“Në listën e partive që kanë konfirmuar se nuk do të garojnë në zgjedhje janë gjithsej nëntë subjekte politike, ndërsa AKR dhe Nisma Socialdemokrate janë ndër partitë më të njohura që kanë vendosur të mos jenë pjesë e garës elektorale”.
Sipas KQZ, Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate”.
Afati për njoftimin e pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes apo formimit të koalicioneve ka qenë i hapur nga 1 deri më 7 maj 2026 dhe ka vlejtur për 53 partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës./Periskopi

